Vendos komisioni i OKB-së: Irani përjashtohet
Pasi Irani përballet nga një valë protestash të vazhdueshme shkaktuar nga vdekja e një vajze të re në paraburgim që u arrestua se e mbante hixhabin “në mënyrë të pahijshme", shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë hequr Iranin nga një grup kyç i OKB-së për të drejtat e grave, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Njëzet e nëntë anëtarë të Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së votuan të mërkurën në favor të një rezolute të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për të “hequr me efekt të menjëhershëm Republikën Islamike të Iranit nga Komisioni për Statusin e Grave për pjesën e mbetur të tij 2022-2026.”
Tetë shtete anëtare votuan kundër rezolutës dhe 16 abstenuan. Duke iu drejtuar këshillit të mërkurën, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield u shpreh se “gratë dhe aktivistët kanë bërë apel tek ne, Kombet e Bashkuara, për mbështetje”, raporton CNN.
“Ata na e bënë kërkesën e tyre me zë të lartë dhe të qartë: largoni Iranin nga Komisioni për Statusin e Grave. Arsyeja është e qartë. Komisioni është organi kryesor i OKB-së për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave. Ajo nuk mund të bëjë punën e saj të rëndësishme nëse është duke u minuar nga brenda.
Anëtarësimi i Iranit në këtë moment është një njollë e shëmtuar në besueshmërinë e Komisionit,” shtoi Thomas-Greenfield. Irani e dënoi rezolutën e SHBA-së, duke e quajtur atë një “kërkesë të paligjshme” dhe tha se ajo dobëson sundimin e ligjit në Kombet e Bashkuara.
Ambasadori dhe përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeed Irvani, tha se rezoluta për të hequr Iranin ishte ndërtuar mbi “pretendime të pabaza dhe argumente të sajuara duke përdorur narrativa të rreme”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA të mërkurën.
Irani sapo kishte filluar mandatin e tij katërvjeçar në Komisionin 45 anëtarësh për Statusin e Grave – i cili u krijua për të mbrojtur barazinë gjinore globalisht – pasi u zgjodh në këtë organ në prill.Në muajt e fundit, vendi është kapluar nga protesta masive të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq pasi u ndalua në Teheran nga një njësi policore që zbaton kode të rrepta veshjeje për gratë.
(Kosova Sot Online)