Komandanti i KFOR-it reagon ashpër për zhvillimet në veri: Të gjitha palët të angazhohen për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes

  • 20 December 2022 - 12:40
Komandanti i KFOR-it reagon ashpër  për zhvillimet në veri: Të gjitha palët të angazhohen  për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes

KFOR-i u bëri thirrje të gjitha palëve në Kosovë që të “angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes”, duke theksuar se zgjidhja e situatës duhet kërkuar përmes dialogut.

“KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës. KFOR-i ka kapacitet të plotë, duke përfshirë personelin, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, në të gjithë territorin e Kosovës, sipas mandatit të tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999”, tha komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia në një deklarim për median serbe N1.

Ai shton se KFOR-i ka shtuar praninë e tij që nga tetori, duke përfshirë ushtarët dhe patrullat shtesë të kësaj jave në veri të Kosovës.

“Ne presim që të gjithë aktorët të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga shprehjet provokuese të forcës, për të mundësuar lirinë e lëvizjes në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ftojmë të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet kërkuar përmes dialogut”, tha komandanti i KFOR-it, Ristuccia.

Serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët me barrikada për të 11-tën ditë në shenjë proteste kundër arrestimit të ish-pjesëtarit të policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai nga institucionet e Kosovës dyshohet për vepra të terrorizmit. 

(Kosova Sot Online )