Skandali me foshnjen e vdekur, çka dihet deri më tani për rastin tronditës
Një foshnje që kishte lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë, në spitalin e Pejës, përcjell "Kosova Sot Online".
Shtatë punonjës të Spitalit të Pejës janë suspenduar pas këtij rastit të rëndë që ka ndodhur në spital.
Prindërit kanë njoftuar Policinë lidhur me këtë rast.
Babai i foshnjes në momentin që po i refuzohej lirimi i trupit të vdekur të foshnjes së tij, ka nuhatur një parregullsi.
“Spitali të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhet në njoftim.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Menjëherë pas informatave në vendin e ngjarjes ka shkuar Prokurori i nga Departamenti i Krimeve të Rënda së bashku me Inspektoratin Shëndetësorë dhe policinë. Rasti është duke u hetuar dhe jemi në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësorë lidhur me këtë ngjarje. Prokurorja e rastit sot ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës për të kuptuar më shumë rreth rastit”, ka thënë zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.
(Kosova Sot Online)