Pse që dy vite 'Trepça' punoi me nga 600 mijë euro humbje në muaj!
Trepça në periudhën 2019 -2021 ka operuar me mbi gjysmë milioni euro humbje mesatare mujore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kështu ka njoftuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), e cila ka publikuar raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP Trepça Sh.A” për periudhën 2019-2021.
Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se “Trepça” nuk ka arritur të jetë efikase dhe efektive në shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerare, me synim të tejkalimit të operimit me humbje mesatare mujore prej 620,307€ dhe arritjes së rentabilitetit.
ZKA-ja deklaron se “Trepça” nuk ka arritur të krijojë as parakushtet e duhura për operim të cilat do të siguronin shfrytëzim efikas dhe fitimprurës të burimeve minerare.
“Rezultatet e auditimit kanë nxjerr në pah dobësi dhe mungesë efektiviteti në sistemin e kontrollit të brendshëm që do të mundësonin produktivitet të lartë në nxjerrjen e xehes, përpunimin dhe pasurimin e mëtejshëm të saj”, deklaron Zyra Kombëtare e Auditimit.
“Analizat e indikatorëve kyç të performancës financiare kanë rezultuar me tregues negativ për gjendjen e rënduar financiare që e ka përcjellë kompaninë ndër vite. Teknologjia dhe infrastruktura e vjetëruar në Trepça Sh.A, si dhe mungesa e investimeve kapitale kanë ndikuar në produktivitet të ulët. Përderisa rrjedhjet (humbje) e mëdha të metaleve në steril gjatë procesit të flotimit të xehes ishin rezultat i teknologjisë së vjetëruar dhe mungesës së investimeve kapitale dhe mos standardizimit të procesit të punës në flotacione”, theksohet në raport.
Gjithashtu, “Trepça” nuk ka arritur të sigurojë menaxhim optimal të burimeve njerëzore në procesin e prodhimit. Kjo, si rezultat i mungesës së analizës dhe identifikimit të nevojave për angazhim të stafit në prodhim nëpër njësi biznesore, me synim të ngritjes së produktivitetit.
“Shpallja e konkurseve të paplanifikuara në plan të biznesit, tejkalimi i stafit të punësuar në njësitë biznesore në krahasim me shpalljen e konkursit publik si dhe angazhimi i punëtorëve me punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta pa shpallje të konkursit publik, janë vetëm disa nga parregullsitë e shumta të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të cilat kishin rezultuar edhe me shpenzime shtesë gjatë periudhës 2019-2021”, shkruan në raport.
(Kosova Sot Online)