Mehmeti: 3 miliardë euro në Kosovë për 9 muaj nga diaspora
Rolin e madh që diaspora jonë ka në ekonominë vendore, e ka shpjeguar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas tij, viti 2021 kishte përfunduar me një rritje të konsiderueshme të ekonomisë vendore por që kjo rritje nuk u përcoll edhe në vitin 2022 për shkak të luftës në Ukrainë dhe inflacionit, faktor këta që ndikuan në uljen e konsumit të brendshëm.
E në anën tjetër, sikur edhe në vitet e kaluara, ashtu edhe këtë vit, por me një shkallë edhe më të lartë, diaspora vetëm për konsum në Kosovë ka shpenzuar 1,48 miliard euro, gjë që ka ndikuar pozitivisht në përballje me inflacionin.
Duke u bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, diaspora deri në muajin shtator ka dërguar mbi një milliard euro, ndërsa me investime direkte kryesisht në blerjen e patundshmërisë ka kontribuar, me mbi 600 milion euro.
Totali i kontributeve të diasporës në Kosovë, për nëntë muajt e parë të vitit, del të jetë 3 miliardë euro.
“Ndër vite, dërgesat e diasporës janë rritur dhe këto mjete janë burim shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit, pjesa më e madhe e remitencave shkon në konsum dhe kjo ndikon në rritjen ekonomike. Kosova duhet të bëjë shumë që këto mjete të diasporës t’i orientoj në investime direkte dhe kjo do të forconte edhe më shumë lidhjet tona si shtet me ta”, ka shtuar guvernatori i BQK, Fehmi Mehmeti.
Përveç kapitalit financiar, sipas kreut të BQK, vendi duhet të bëjë çmos që të tërheq edhe kapitalin njerëzor nga diaspora.
(Kosova Sot Online)