Qeveria jep detaje pas takimit të Kurtit me komandantin e KFOR’it dhe shefin e EULEX’it

  • E.k /
  • 26 December 2022 - 13:39
Qeveria  jep detaje pas takimit të Kurtit me komandantin e KFOR’it dhe shefin e EULEX’it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me komandantin e KFOR-it dhe Shefin e EULEX-it, përcjell "Kosova Sot Online".

Në njoftim thuhet se në takim është diskutuar për veprimet e strukturave kriminale në veri, duke shtuar se në takim është thënë se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.

“U bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë. U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.

Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhet në njoftim.

Tutje, komunikatë theksohet se “gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it”.

“U theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata.

(Kosova Sot Online)