Në veri të vendit largohen barrikadat, lirohen për qarkullim dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy pikë-kalimet kufitare, ai në Jarinjë dhe tjetri në Bërnjak, janë hapur sot për qarkullim pas më shumë se dy javë bllokim si pasojë e barrikadave, shkruan "Kosova Sot Online".
Në njoftim thuhet se Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës (PK), bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë
vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data
10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy
pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave
dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së
qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur
qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.
Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që
t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e
sigurinë publike.
Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin
vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe
Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim.
Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me
realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të
gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke
bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
(Kosova Sot Online)