Shumica e shqiptarëve që po ikin nga vendi i përket këtyre moshave

  • A.P /
  • 08 January 2023 - 12:31
Shumica e shqiptarëve që po ikin nga vendi i përket këtyre moshave

Në Shqipëri, emigrimi i të rinjve po kthehet në një shqetësim serioz, për shoqërinë. Rreth 50% e të larguarve gjatë viteve të fundit, sipas të dhënave të një ankete të INSTAT, janë të rinj të moshës 15 -29 vjeç. Studiuesit e lidhin këtë largim me arsye ekonomike dhe mungesën e shpresës për të ardhmen. Autoritetet thonë se kanë marrë masa të posaçme për t’i bërë të rinjtë, që ta shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri, disa prej të cilave, pritet të nisin zbatimin gjatë këtij muaji.

Në Shqipëri ka një shqetësim në rritje për largimin e të rinjve nga vendi. Sipas anketës kombëtare të emigracionit në familje, për vitet 2011-2019, të realizuar nga INSTAT dhe disa organizata ndërkombëtare rreth 50% e afro 177 mijë qytetarëve të larguar, janë të rinj të moshës 15-29 vjeç. Sipas studiuesve të fushës, arsyet kryesore lidhen me varfërinë, mungesën e punësimit dhe të zhvillimit në karrierë.

Në Zallbastar, një fshat vetëm 18 km larg Tiranës, me mbi 5 mijë banorë, dhe disa prej tyre thanë se emigrimi i të rinjve është një plagë për zonën.

‘Shumë të rinj kanë ikur, mbi 12 vetë, shokë të mi, kanë ikur këtë vit, në Gjermani dhe Angli. Për çdo vit dhe më shumë ikin. Do shoh se mos iki dhe unë, këtu nuk rrihet’- tha për Zërin e Amerikës, Elson Selmani, një i ri 20 vjeçar nga Zallbastari, Tiranë.

‘Të rinjtë po largohen, 6 nipa të mi kanë ik. Po e vuaj shumë këtë se dhe djali im 19 vjeç ka dëshirë të largohet. Kërkojmë punëtorë po nuk gjejmë. E mbaj me bashkëshorten lokalin’, tha për Zërin e Amerikës, Fatmir Elezi, një tjetër banor i Zallbastarit, pronar i një restoranti të vogël.

‘Dy çunat e mi kanë ikur në Gjermani dhe Angli. Janë të moshës 20 dhe 22 vjeç. Këtu ështe jetesë e keqe, zonë e thellë, pa punë, kam ngel vetëm unë me bashkëshorten. Çunat që punojnë kanë ik’, u shpreh për voa Ibrahim Deda, banor i Zallbastarit.

‘Kanë ik nga halli jo nga qejfi, sepse s’ka punë këtu. Bujqësi s’ka më, se ka shkuar 130 mijë lekë ( të vjetra) një kv. pleh kimik. Nuk punon njeri toka më. Blegtori s’ka më, se s’kanë leverdi. Ko do rrinë të rinjtë. Kanë ngel vetëm pleqtë’- vijoi një tjetër banor i Zallbastarit.

 

(Kosova Sot Online)