
Vdes profesori dhe ish-luftëtari i UÇK-së Sabahajdin Cena

Ka ndërruar jetë profesori dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Sabahajdin Cena, shkruan "Kosova Sot Online".
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka shprehur ngushëllimet e tij ndaj familjes së Cenës.
Ndër të tjerash, Latifi ka shkruar se "Emri i tij do të gdhendet me shronja ari, ndërsa kronikat e tij për UÇK-në do të vazhdojnë të bëjnë jehonë në histori:.
Postimi i kryetarit Latifi:
Iku në amshim Profesor Sabahajdin Cena.
Kur bien lisat e mëdhenj trandet edhe mali e fusha. Njeriun që nuk u ndal për asnjë moment duke punuar, luftuar e shkruar, e paska rrëzuar sëmundja e rëndë. Ai “i lau e i kjau” dëshmorët e Atdheut, këndoi e shkroi për bëmat e lavdinë dhe i gdhendi emrat e tyre në gurë; maleve, fushave e skaj rrugëve të atdheut. I bëri jehonë luftës së lavdishme të popullit shqiptar me emblemën e UÇK-së në krye.
Prof. Dr. Sabahajdin Cena u bë një me luftën çlirimtare duke u bërë kronisti i kësaj historie të lavdishme në trojet shqiptare e më gjerë. Emri i tij do të gdhendet me shronja ari, ndërsa kronikat e tij për UÇK-në do të vazhdojnë të bëjnë jehonë në histori.
Lavdi e nderim për njeriun e pushkës e të penës, profesor Dr. Sabahajdin Cena!
Ngushëllime familjes së ngushtë, farefisit, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që ndjejnë dhembje për humbjen e Prof. Dr. Sabahajdin Cena!
(Kosova Sot Online)