Lexoni edhe:
Emisari britanik për Kosovën dhe Serbinë: Pres të shoh një marrëveshje, kur ka vullnet, ka dhe rrugë
Raportimet në media bëjnë të ditur se Hungaria po tenton edhe një herë të dobësojë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, duke kërkuar heqjen e nëntë individëve nga lista e personave të sanksionuar, që u vendosën ndaj mbi 1,300 individëve dhe 170 subjekteve në përgjigje të agresionit ndaj Ukrainës nga Moska, përcjell "Kosova Sot Online".
Sipas disa burimeve diplomatike, Hungaria po kërkon në mënyrë specifike heqjen e Alisher Usmanov, Pyotr Aven dhe Viktor Rashnikov nga lista e ndalimit të vizave dhe ngrirjes së aseteve.
Gazeta zyrtare e BE-së e quan Usmanov një “oligark pro-Kremlinit me lidhje veçanërisht të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin”. Ai është përmendur si një nga “oligarkët e preferuar të Putinit”.
BE thotë se Aven “është një nga 50 biznesmenët e pasur rusë që takohen rregullisht me Vladimir Putin në Kremlin” dhe se ai “nuk vepron në mënyrë të pavarur nga kërkesat e presidentit”.
Rashnikov, ndërkohë, iu shtua listës në mars, me Brukselin që e përshkruan atë si “një nga oligarkët kryesorë rusë”.
Kjo nuk është hera e parë që Hungaria tenton t’i heqë këta individë nga kjo listë.
Vendi u përpoq ta bëjë këtë edhe gjatë rinovimit të fundit të sanksioneve në muajin shtator, por u tërhoq shpejt për shkak të presionit politik.
Lista e sanksioneve duhet të miratohet unanimisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së që ajo të rinovohet, dhe afati i ardhshëm për këtë përditësim është data 15 mars.
Hungaria gjithashtu po përpiqet t’i heqë nga lista e sanksioneve motrën e Usmanovit, Gulbahor Ismailova; partnerin e biznesit të Avenit, Mikhail Fridman; oligarkun bjellorus Dmitry Mazepin; birin e tij Nikita Mazepin; dhe oligarkët rusë Grygory Berezkin dhe Viatcheslav Moshe Kantor.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka qenë kritik ndaj qëndrimit të BE-së ndaj Moskës, duke argumentuar se sanksionet e kanë dëmtuar BE-në pa dobësuar Rusinë apo ndihmuar Ukrainën./REL
(Kosova Sot Online )