Zbardhet atentati ndaj ish-prokurorit , 5 urdhër arreste për persona të botës së krimit

  • 20 January 2023 - 11:27
Zbardhet atentati ndaj ish-prokurorit , 5 urdhër arreste për persona të botës së krimit

GJKKO ka lëshuar 5 urdhër arreste me kërkesë të SPAK. Burime bëjnë me dije se emrat e njohur të botës së krimit për të cilët ka masë arresti janë Akil Nerjaku, Plarent Dervishaj, Julian Mecaj, Bashkim Haxhija dhe Marsel Deçka që dyshohet të kenë lidhje me atentatin ndaj Arjan Ndoj.

Urdhër arrestet u lëshuan pas operacionit ditën e djeshme në banesën e Ramazan Rrajës. Akil Nerjaku, i njohur si i përfshirë në bandën e Durrësit i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022. SPAK dje urdhëroi edhe shoqërimin e Rrajës, por gjatë kontrollit nuk u gjet në banesë. Urdhri i SPAK për arrestet vjen pas një procedimi panel të regjistruar më herët pas rrëfimit të një bashkëpunëtori të drejtësisë që dyshohet të jetë Nuredin Dumani, i cili ka zbardhur ngjarje të rënda kriminale në vend.

Nuk dihet për cilin bëhet fjalë, teksa tashmë Policia e Shtetit ka bërë të mundur ekzekutimin e të gjitha urdhër-arresteve në fjalë. SPAK akoma nuk ka bërë njoftim zyrtar dhe detaje për operacionin në fjalë.

Atentati ndaj prokurorit Ndoja

Në vitin 2019 një atentat iu bë ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoja, Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur. Makinës ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Nwn akuzë për atentatin ndaj Ndojës janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.

(Kosova Sot Online )