Pasojat e reshjeve të fundit, këto lagje në Prishtinë do të përballen me ndërprerje të ujit

  • 20 January 2023 - 13:09
Pasojat e reshjeve të fundit, këto lagje në Prishtinë do të përballen me ndërprerje të ujit

"Kosova Sot Online shkruan se Lagjja “Kodra e Trimave”, lagjja e “Muhaxhirëve”, “Dodona”, “Taslixhja”, “Aktashi”, “Bregu i Diellit” dhe zonat e Matit do të përballen me çrregullime në sistemin e furnizimit me ujë gjatë të premtes. Njoftimin e ka bërë KRU “Prishtina” duke  njoftuar se për shkak të reshjeve të dendura atmosferike në afërsi dhe rreth liqenit të Ujmanit, ka ngritje të turbullirës së ujit në kanalin e Ibër Lepencit.

Ndërkohë, ka thënë se impianti i trajtimit të ujit në Shkabaj dhe Drenas, nuk kanë mundësi teknike të trajtojnë ujin për pije. “Për shkak të gjendjes alarmante me vërshime dhe turbullirë të ujit në kanalin e Ibër Lepencit, përveç Fushë Kosovës, Drenasit, Zonës Industriale dhe lagjes Kalabria në Prishtinë, çrregullime në sistemin e furnizimit me ujë sot do të kenë edhe: lagjja Kodra e Trimave dhe të gjitha zonat që furnizohen me ujë nga rezervuari i Mirëditës si: lagjja e Muhaxhirëve, lagjja Dodona, Taslixhe, Aktash, Bregu i Diellit dhe të gjitha zonat e Matit”. Paralajmërohet se kjo situatë vazhdon deri në përmirësimin e situatës me turbullirë në kanal.

(Kosova Sot Online )