Arrestohet ish-zyrtari i lartë i FBI, mori 225 mijë dollarë nga punonjësi i SHISH. CNN publikon pjesë nga dosja hetimore: Charles McGonigal takoi Ramën në Tiranë

  • 24 January 2023 - 11:03
Arrestohet ish-zyrtari i lartë i FBI, mori 225 mijë dollarë nga punonjësi i SHISH. CNN publikon pjesë nga dosja hetimore: Charles McGonigal takoi Ramën në Tiranë

Mediat më të mëdha ndërkombëtare i bënë jehonë dje arrestimit të një ish-zyrtari të lartë të FBI, Charles McGonigal, për shkak të bashkëpunimit dhe parave të marra nga një oligark rus.

Media të ndryshme kanë publikuar dhe detaje nga hetimet e Departamenti Amerikan i Drejtësisë. CNN ka postuar një artikull mbi ngjarjen, ku përmendet edhe fakti që McGonigal ka fshehur të dhëna në lidhje me një pagesë prej qindra mijëra eurosh të marra nga një ish-punonjësi i Inteligjencës shqiptare, çka përbën edhe akuzën e dytë me të cilën përballët ish-zyrtari.

McGonigal po përballet me akuza në Nju Jork për shkelje të sanksioneve të SHBA-së, komplot dhe akuza për pastrim parash për bashkëpunimin në vitin 2021 me Oleg Deripaska, një oligark rus, i cili u sanksionua për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016. “Ai akuzohet për fshehjen e lidhjeve që kishte me personin që dekada më parë ka punuar për një agjenci të inteligjencës shqiptare, duke përfshirë marrjen e 225,000 dollarëve në pagesa”, shkruan CNN. Gjatë disa udhëtimeve jashtë shtetit në Shqipëri, Austri dhe Gjermani, prokurorët pretendojnë se McGonigal dështoi të zbulonte në formularët e qeverisë amerikane se ai u takua me Kryeministrin e Shqipërisë, një politikan kosovar dhe të tjerë persona.

Prokurorët pretendojnë se në një takim, McGonigal i kërkoi Kryeministrit të Shqipërisë që të jetë “i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave për shpimin në fushat e naftës në vend për kompanitë ruse. Ish-punonjësi i Inteligjencës shqiptare që i pagoi 225 mijë dollarë kishte interes financiar në vendimin e qeverisë për kontratat. Një nga pagesat në para, rreth 80,000 dollarë, dyshohet se iu dha McGonigal-it, ndërsa ai ishte ulur në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në New York City.

Nën drejtimin e McGonigal, FBI-ja hapi një hetim mbi përpjekjet lobuese të huaja të një shtetasi amerikan bazuar në informacionin që ai mori nga ish-punonjësi i Inteligjencës shqiptare, referuar aktakuzës. McGonigal nuk i zbuloi kurrë marrëdhënien e tij financiare. Charles McGonigal, një veteran i FBI-së prej 22 vitesh, i cili u pensionua në 2018, u arrestua të shtunën në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy kur kthehej nga një udhëtim ndërkombëtar. McGonigal pritet të paraqitet në gjykatën federale në Manhatan, ndërsa avokati i tij ka deklaruar se ai është i pafajshëm.

SI U KRYE BASHKËPUNIMI ME OLIGARKUN RUS

Sa i përket akuzave në lidhje me oligarkun rus, aktakuza pretendon se McGonigal u takua për herë të parë me përkthyesin rus, Shestakov, në vitin 2018, ndërsa ishte akoma zyrtar në FBI, nëpërmjet një oficeri të inteligjencës ruse, i njohur si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme për Bashkimin Sovjetik dhe Federatën Ruse. McGonigal udhëtoi në Londër dhe Vjenë rreth vitit 2019 për t’u takuar me Deripaskan dhe të tjerë për të “fshirë” oligarkun rus nga lista e sanksioneve të SHBA-së. Ish-agjenti i FBI-së dhe përkthyesi i akuzuar gjithashtu për të njëjtën akuzë, Shestakov, u përpoqën të fshehin përfshirjen e tyre me Deripaskan, duke përdorur kompani guaska dhe nënshkrime të falsifikuara për të marrë pagesa nga oligarku rus.

Në vitin 2021, McGonigal dyshohet se po punonte për të marrë skedarë të “dark web” për Deripaskan, të cilat ai tha se mund të zbulonin “asetet e fshehura me vlerë më shumë se 500 milionë dollarë amerikanë” dhe informacione të tjera që McGonigal besonte se do të ishin të vlefshme për Deripaskan. Kjo përpjekje u ndërpre papritmas kur FBI-ja sekuestroi pajisjet e tyre elektronike personale në nëntor të atij viti. Deripaska, një aleat i Putinit, u sanksionua nga SHBA në vitin 2018 në përgjigje të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe u akuzua për shkelje të sanksioneve amerikane në shtator. Ai është një nga oligarkët më të njohur në Rusi dhe emri i tij doli gjatë hetimit Trump-Rusi në lidhje me zgjedhjet në SHBA. Ai u përmend dhjetëra herë në raportin e këshilltarit special Robert Mueller, i cili thotë se ai është “në një linjë të ngushtë” me Putinin. © Panorama.al

(Kosova Sot Online )