
Lexoni edhe:
DOSJA E PLOTË/ Të gjitha takimet e shefit të FBI me Ramën, Duçkën, Nezajn dhe si u hetua Nick Muzin
Gjykata Themelore në Prishtinë, do të lëshojë urdhërarrest për të akuzuarin Velizar Marusic, që të sigurohet prezenca e tij në seancën e radhës, pasi i njëjti edhe pse ishte i ftuar me rregull për seancën e së mërkurës, nuk ishte prezent.“Mosprezenca e të akuzuarit Marusic do të sigurohet përmes urdhërarrestit që gjykata do ta lëshojë sot”, deklaroi kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, përcjell "Kosova Sot Online ".
Në këtë rast, bashkë me Marusic po akuzohen edhe Marjan Komani, Atnan Qovanaj dhe Rexhep Kryeziu, të cilët ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “Pastrim të parave”, “Pjesëmarrja dhe organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Lëshim i çeçeve pa mbulesë ose të rreme” dhe “Keqpërdorim i kartelave të bankës apo kreditit në tentativë”, për të cilat vepra nuk e kanë pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, mbrojtësja e të akuzuarit Marusic, avokatja Adelina Hoxha tha se për arsye objektive, i mbrojturi i saj nuk është i pranishëm në seancën e sotme, ndërsa shtoi se janë edhe në diskutime të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes për pranim të fajësisë me Prokurorinë.
“Njoftoj gjykatën se për arsye objektive i njëjti nuk prezanton dhe për faktin se jemi në diskutimet e pranimit se fajësisë me Prokurorinë, nuk kanë përfunduar dhe jemi në vazhdim të diskutimeve për lidhjen e marrëveshjes”, deklaroi avokatja Hoxha.
Ndërsa, nga Prokuroria Speciale prezent ishte prokurori Burim Çerkini, i cili deklaroi po ashtu se janë në diskutime për lidhjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë me të akuzuarin Marusic, duke kërkuar seriozitet më të madh nga i akuzuari për lidhjen e marrëveshjes.
Prezent në seancë ishin të gjithë të akuzuarit tjerë: Komani me mbrojtësin e tij, avokatin Fanol Krasniqi, Qovanaj me avokaten Ardita Morina dhe i akuzuari Kryeziu me avokaten Fehmie Gashi-Bytyqi.
Gjithashtu, në këtë seancë e pranishme ishte edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Eneida Lajçi.
Po ashtu, prezent ishin edhe dëshmitarët Xhelal Karaxha, Fitore Troshupa, Sadije Kadriaj, Albulena Arifi, Mirjeta Kadriaj, Epunina Maloku, Ardian Kadriaj, Fitim Maloku, Ismet Pacolli, dhe Skender Vata.
Ndërkaq, nuk ishin prezent dëshmitarët Nisret Hysenaj, Jahir Morina, Luan Prenku dhe Sadik Mazreku, për të cilët gjykata kishte prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kanë arsyetuar përveç dëshmitarit Morina.
Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 27 mars 2023.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 3 shkurt 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Marjan Komanit, Atnan Qovanajt, Rexhep Kryeziut dhe Velizar Marusic, për shkak të veprave penale “Pastrim parave”, “Pjesëmarrja dhe organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, Lëshim i çeçeve pa mbulesë ose të rreme” dhe “Keqpërdorim i kartelave të bankës apo kreditit në tentativë”.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Komani, Qovanaj dhe Kryeziu në bashkëkryerje me njëri-tjetrin në periudhë kohore nga muaji tetor i viti 2017 e deri në muajin tetor të vitit 2019, duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal, si bashkim i strukturuar, me dashje dhe me dijeni, e me qëllim që ky grup të kryejë vepra penale që janë të dënueshme me burgim, së paku katër vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit, duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në realizimin e dobisë pasurore të kundërligjshme.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Komani, Qovanaj dhe Kryeziu me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojnë përfitime financiare të kundërligjshme, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e sistemit bankar, kanë transferuar shuma të larta të parave në shtete të ndryshme, respektivisht të njëjtit gjatë periudhës 15 janar 2018 e deri më 25 korrik 2018 kanë realizuar gjashtë transaksione në vlerë mbi 300 mijë euro.
Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Komani, Qovanaj, Kryeziu dhe Marusic, nga koha e papërcaktuar e deri në muajin maj të vitit 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal me dashje dhe me dijeni dhe me qëllim që vetes t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, pasi që kishin arritur të sigurojnë draftin bankar në vlerë prej 7 milionë euro, i cili figuron si i lëshuar nga banak HSBC në Londër, me datë 7 nëntor 2017, kishin tentuar që në bankën NLB t’i konvertojnë në para.
Në aktakuzës thuhet se të akuzuarit Qovanaj dhe Komani kishin komunikuar dhe shkëmbyer foto të çeçeve dhe drafteve bankare të bankës HSBC në vlerë prej 12 milionë euro, çeçe bankare të SHBA-së në vlerë prej 100 milionë dollarësh, si dhe thuhet se të njëjtit kanë në posedim çekun në vlerë 7 milionë euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtit kishin lëshuar çeçe dhe drafte bankare në emër të institucioneve bankare, për të cilat thuhet se kishin qenë të falsifikuara, si dhe siç thuhet të njëjtit kishin për qëllim t’i konvertojnë në sistemet bankare në Kosovë dhe të njëjtat para t’i fusin në biznes ndërtimor në Kosovë dhe jashtë saj, saktësisht në Mal të Zi.
Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit Komani dhe Qovanaj më 25 korrik 2018, duke vepruar me dashje dhe me dijeni dhe me qëllim që të realizimit të transaksioneve të kundërligjshme kishin përdorur pasaportën e falsifikuar të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës në emër të të akuzuarit Komani.
Kjo, bazuar në aktakuzë, me qëllim të rezervimit të hotelit në Ishujt Maldive, e për të cilin rezervim thuhet se ishin realizuar tri transfere të kundërligjshme dhe atë në vlerë prej 171 mijë euro, 46 mijë euro dhe transaksioni i tretë në vlerë mbi 42 mijë euro, për të cilat thuhet se janë bërë me qëllim për të humbur gjurmët lidhur me personin në emër të së cilit është bërë rezervimi.
Tutje, sipas aktakuzës të akuzuarit Komani dhe Qovanaj nga muaji janar e deri në muajin korrik të vitit 2018 me qëllim të transferimit apo fshehjes ose maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes së pasurisë kishin kryer transfere parash, ashtu që të njëjtit kishin kryer pagesa “OF Line” pa kod të autorizimit, në SHBA në vlerë prej 30 mijë euro.
Sipas aktakuzës, transaksioni në fjalë thuhet se ishte bërë përmes Wells Fargo Bank, si dhe një transfer tjetër më 13 mars 2018 në vlerë mbi 71 mijë euro në kryeqytetin e Skocisë në Edinburg, si dhe me datën 5 maj 2018 të njëjtit kishin bërë tri transfere bankare në vlera prej 171 mijë euro, 42 mijë euro dhe mbi 42 mijë euro në Ishujt Malidve.
Siç thuhet në aktakuzë, këto transfere ishin bërë në emër “rezervim i hotelit”, duke përdorur si dokument identifikues pasaportën në emër të të akuzuarit Komani, dhe siç thuhet të gjitha transaksionet ishin bërë nga llogaria në NLB bank për në SHBA, Skoci dhe Ishujt Malidve, duke e ditur që në llogarinë e njëjtë nuk posedojnë asnjë para, por siç thuhet këto veprime të akuzuarit i kishin kryer duke shfrytëzuar aftësitë e tyre në IT.
Me këto veprime, të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Pastrim i parave”, “Pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Lëshim i çeçeve pa mbulesë ose të rreme” dhe “Keqpërdorim i kartelave të bankës apo kreditit në tentativë”. /BetimipërDrejtësi
(Kosova Sot Online )