Zbulohet rrjeti i trafikut ndërkombëtar të droges në Shqipëri, ja si u godit grupi kriminal nga autoritetet italiane dhe SPAK

  • 27 January 2023 - 09:47
Zbulohet rrjeti i trafikut ndërkombëtar të droges në Shqipëri, ja si u godit grupi kriminal nga autoritetet italiane dhe SPAK

Një grup që transportonte drogë kryesisht kokainë dhe hashash u pikas herët nga ana e antidrogës italiane.

Ndërkohë që goditjet kishin nisur që në vitin 2015 u mësua se trafiku nga Durrësi ishte i pandalshëm. Në skedat e tyre të hetimit del emri i Emirjan Beut, për të cilin autoritetet italiane kërkuan që të vëzhgohej dhe përgjohej për të gjitha sipërmarrjet e tij, aq sa mund të hetoheshin dhe përgjoheshin trafikantët e drogës në vendin tonë.

Sipas të dhënave hetimore bëhet me dije se në fakt Beu u vu në përgjim ambiental, e madje përgjimi iu vu në automjetin e tij personal. Duke tentuar të përgjohej Emirjani, në makinën e tij, gjendet e motra e cila i flet dikujt për mundësinë për tu punësuar në Ministrinë e Brendshme pasi asaj i kishte premtuar ishzëvendësministrja e dikasterit blu e për pasojë thjesht i duhej një arkë peshk! Policia, prokuroria, SPAK-u e më pas gjykatat ndërhynë duke mundësuar vënien para drejtësisë së numrit dy të ministrisë së Brendshme, po pa treguar se personi i përgjuar bashkë me të vëllanë e saj rezultonin të ishin pronarë të një kompania të madhe peshkimi, me ortakëri deri te Gjergj Luca, pronari i Rozafës në Elbasan, po ashtu kishin edhe disa kompani të tjera si dhe karburante në zonën e Durrësit.

Florida Beu, motra e Emirjanit u hetua po për llogari të një rasti korruptiv me funksionaren e qeverisë, ndërkohë që në pranga aso kohe ra edhe vëllai i saj, por pa dal në skenë çështja e trafikut të drogës për të cilin kishin nisur hetime të gjera në prokurorinë e Bergamos. Ditëve të fundit, italianët e antidrogës të mbështetur nga partnerët kundra narkotikëve ndërhynë dhe lëshuan mbi 100 urdhër-arreste, ku një numër i konsiderueshëm i përkiste, si gjithnjë, Shqipërisë. SPAK i kërkoi policisë të ndërhynte për të arrestuar emrat e sjellë nga homologët italian si dhe të hetuar edhe nga këta vetë dhe u bë me dije se 21 persona duhej të ndaloheshin për llogari të asaj dosjeje voluminoze të antimafies italiane.

Operacioni

Banda e trafikut të drogës Itali-Shqipëri që u shkatërrua nga megaoperacioni i autoriteteve italiane në bashkëpunim me ato shqiptare drejtohej nga 3 shqiptarë nga Durrësi, Braniol Liço alias Branjol Liço alias Braniol Aga, Gernard Beu alias Gernard Liço alias Gernard Ago dhe Emirjan Beu. Ata drejtonin dhe organizonin trafikun ndërkombëtar të drogës.

Nga hetimi i nisur që në vitin 2017 mes autoriteteve italiane dhe shqiptare për çmontimin e bandës italo-shqiptare, u sekuestruan 5 milionë euro dhe sasi të mëdha droge, megaoperacioni i zhvilluar në koordinim me EUROJUST solli 43 urdhërarreste në të dyja vendet. Veprimtaria kriminale e këtij grupi kriminal ishte e përqendruar kryesisht në Durrës sa i përket Shqipërisë. Altin Dumani, kreu i SPAK-ut, bëri me dije se në Shqipëri janë dhënë 20 masa “Arrest në burg”, nga të cilat janë ekzekutuar 15, dhe 1 person në “Arrest shtëpie”.

43 janë masat paraprake që janë ekzekutuar sot në mëngjes në Itali dhe Shqipëri, të lëshuara në të njëjtën kohë nga autoritetet gjyqësore italiane dhe shqiptare, si rezultat i hetimeve të Policisë Gjyqësore të kryera në kuadër të Grupit të Përbashkët Hetimor (SIC) mes Prokurorisë Publike të Bergamos dhe SPAK-ut në Tiranë, për të shkatërruar grupin e trafikun e gjerë të kokainës, heroinës, marijuanës dhe hashashit në Evropë. Po zhvillohen veprimet për sekuestrimin e 5 milionëve eurove, ndërkohë që më parë janë bllokuar më shumë se 1 milionë euro pasuri. Ky është epilogu i një hetimi të zhvilluar bashkërisht nga Prokuroria Publike e Bergamos dhe SPAK-ut në Shqipëri, i cili ka çuar tashmë, në të njëjtin aktivitet hetimor, në arrestimin në flagrancë të 62 personave.

Shifrat e operacionit

Janë ekzekutuar në total që prej fillimit të hetimeve 119 masa të parandalimit personal, duke përfshirë arrestimet në flagrancë, arrestimet me vonesë dhe urdhrat e paraburgimit (që vijojnë të kryhen në Shqipëri); Sekuestrimi i mbi 120 kilogramë kokainë të importuar nga Holanda dhe mbi 15 kilogramë heroinë shumë të pastër, të rafinuar për t’u shpërndarë më pas tek klientët, në dy laboratorë – objekt sekuestroje – të vendosura në provincat e Kremonës dhe Milanos; Sekuestrimi i më shumë se 129 kilogramëve marijuanë dhe 92 kilogramë hashash.

Me referencë specifike për marijuanën, farat përkatëse u importuan në Itali për kultivim në terren në dy serra (gjithashtu të sekuestruara) të krijuara brenda po aq fermave të vendosura përkatësisht në provincat Mantua dhe Modena; Sekuestrimi parandalues i aseteve dhe burimeve financiare në shumën totale prej 5,068,340,00 euro.

Kapot

Emirjan Beu, i arrestuar në kuadër të operacionit “Highway” në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe shqiptare, në mesin e 20 personave të tjerë, si pjesë e treshes kryesore të drejtimit të trafikut të drogës në dy vende, Shqipëri dhe Itali, nuk është emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Ai, përveç se është vëllai i Florida Beut, e cila zbuloi skandalin e korrupsionit të ish-zëvendësministres së Brendshme, Rovena Voda, ka ndërhyrë më herët te prokurori i Kukësit, Edmond Karriqi, për dhënien e ryshfetit të 2 mijë eurove për lehtësimin e masës së sigurisë të një grupi të rinjsh që u kapën me drogë. Në 30 qershor 2021, bashkë me prokurorin Karriqi u arrestuan edhe Emirjan Beu, Dritan Dedja dhe Isuf Bega.

Apeli i Gjykatës së Posaçmes e dënoi përfundimisht Karriqin me 2 vjet burg, ndërsa Beun, Dedjan dhe Begën me nga 1.4 vjet burg. Emirjan Beu njihet si biznesmen që zotëron karburante dhe kompani të tregtimit të peshkut ku në këtë aktivitet mësohet se mbështetej edhe nga kushëriri i tij, Dorian Beu! Po ashtu, sipas hetimit mësohet se Braniol Liço, është një nga tre bosët e bandës së trafikut të drogës, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë që u shkatërrua nga një megaoperacion i autoriteteve italiane në bashkëpunim me SPAK, është arrestuar në Tiranë më 2020. Braniol Liço (Ago), 48 vjeç banues në Durrës, ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Brescia, në vitin 2016 me 7.6 vjet burg, për veprat penale “Trafikim ndërkombëtar i narkotikëve” dhe “Organizatë kriminale”.

Lidhjet e personazheve

Emirjan Beu mësohet se është në grup me kushëririn e tij Dorian Beu, që sipas policisë është djali i xhaxhait të Emirjanit. Por mes personave të ndaluar është dhe Dhimitër Nina, njëri nga pronarët e kompanisë “SPLENDID GROUP” dhe “SE&NI” në Durrës. Në dokumentimin e aktivitetit tregtar është e faktuar se Dorian Beu, rezulton të jetë aksioner me 10 për qind në kompaninë e peshkimit “ORGANIZATA E MENAXHIMIT TE PORTIT TE PESHKIMIT DURRES-OMPD” SH.P.K, kompani në të cilën është aksioner dhe Qemal Beu, babai i Emirjan Beut, i cili rezulton po me 10 për qind të aksioneve.

Po ashtu mes të arrestuarve gjendet edhe i Syrjan Tolës, emër i listuar si aksioner në të njëjtën kompani peshkimi, ku mes të tjerëve gjendet edhe emri i biznesmenit të peshkut Gjergj Luca. Në fakt janë një mori të dhënash që i lidhin thuajse pjesën më të madhe të grupit të vënë nën akuzë me bizneset që kanë kapot e grupit, por do të jetë SPAK-u që në ditët në vijim do të hedh dritë mbi gjithë aktivitetin e këtyre personave.© SYRI.net

(Kosova Sot Online )