Meta: Rama shkeli Kushtetutën, asgjë nuk do e ndalë zbardhjen e skandalit
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reagur sërish pas skandalit “McGonigal” ku rezulton i përfshirë kreu i qeverisë Edi Rama.
POSTIMI I PLOTE:
Përdorimi i McGonigal në mënyrë të paligjshme dhe korruptive nga Edi Rama në postin e Kryeministrit të Shqipërisë kundër opozitës dhe kundërshtarëve të tij politikë është shumë flagrant. Ndaj hetimi i kësaj çështje nga SHBA është shumë i rëndësishëm për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.
Edhe më i domosdoshëm është hetimi i veprimeve antikushtetuese, të paligjshme dhe mafioze nga Edi Rama, i cili e përdhosi zyrën e Kryeministrit duke joshur e korruptuar zyrtarë të lartë të huaj për të porositur investigime ndaj kundërshtarëve politikë me qëllim shkatërrimin e pluralizmit politik dhe instalimin e plotë të narkoshtetit dhe kleptokracisë.
Edi Rama nuk është vetëm në konflikt interesi me detyrën e Kryeministrit, por ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke shfrytëzuar postin e Kryeministrit dhe përdorur korrupsionin ndaj zyrtarëve të huaj për të minuar demokracinë dhe pluralizmin politik në vend.
Bllokimi i komisionit hetimor parlamentar është një përpjekje e pashpresë për të relativizuar këtë komplot të tij kundër demokracisë dhe pluralizmit politik.
U bëj thirrje deputetëve të mos sillen më si kukulla për të mbuluar skandalet e Edi Ramës por të shpëtojnë dinjitetin e tyre duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e "Ramagate" në vendin tonë dhe vendosjen para ligjit të kësaj bande manipulatorësh!
Ja dhe zyrtarët “antikorrupsion” që u kthyen në ortakë të regjimit më të korruptuar në Europë dhe u përdorën kundër opozitës dhe demokracisë në Shqipëri!
(Kosova Sot Online)