Vritet i dyshuari i cili plagosi dy gra në Kosovë
Për vdekjen e personit të dyshuar për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë, Policia ka dhënë detaje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas policisë, i dyshuari ka shtënë drejt policëve në përpjekje për të shmangur arrestimin, duke rrezikuar jetën e pjesëtarëve policor dhe qytetarëve përreth.
Pas konfrontimit mes policisë dhe të dyshuarit, ky i fundit është plagosur.
“I dyshuari i armatosur, në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë duke rrezikuar drejtpërsëdrejti jetën e policëve si dhe qytetarëve përreth, dhe me këtë rast ka bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm ndërmarrjen e të gjitha veprimeve policore në përputhje me autorizimet tyre. Ndërkaq që sulmi ndaj policisë është neutralizuar i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit. Aktualisht përkundër që ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje, policia bashkërisht me autoritetet e tjera relevante ligj zbatuese po heton me përpikëri të gjitha rrethanat që karakterizojnë rastin”, thuhet në përgjigjen e policisë.
“Ndërkohë që po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore e ekzaminuese, i dyshuari është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, nga ku rreth orës 18:45 kemi pranuar informatën se personi ka ndërruar jetë”.
(Kosova Sot Online)