Avdullah Hoti e merr fjalën në Kongresin Amerikan
Bashkë me përfaqësues të tjerë të partive politike në Kosovë, deputeti Avdullah Hoti po qëndron në Uashington, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai thotë se sot në tryezën për çështje të sigurisë, në Kongresin Amerikan, mori fjalën, në emër të Kosovës.
“Në Kongresin Amerikan në tryezën për çështje të sigurisë. Në prani të kongresistëve, në dakordim me kolegët, mora fjalën në emër të Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Deputeti i tanishëm i LDK-së thotë të ketë deklaruar se “Ballkani Perëndimor ka nevojë për: (1) përmbyllje të kornizës së sigurisë duke u integruar sa më parë në NATO dhe (2) duke u bërë pjesë e planeve për stabilitet energjetik që i ka zhvilluar BE-ja për tu pavarësuar nga furnizimi me energji nga vende agresore”.
Hoti dhe grupi që ka udhëtuar nga Kosova do të marrin pjesë në Lutjet e Mëngjesit të Kongresit Amerikan, që përvjet mbledhin politikanë nga bota.
(Kosova Sot Online)