Mbi 16 mijë të vdekur nga tërmetet në Turqi dhe Siri

  • E. /
  • 09 February 2023 - 10:53
Mbi 16 mijë të vdekur nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Ekipet e shpëtimit nxorën më shumë të mbijetuar nga rrënojat e ndërtesave të shembura të enjten, por shpresat për gjetjen e më shumë të gjallëve kanë filluar të zbehen më shumë se tre ditë pas një tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke vrarë më shumë se 16 mijë veta.

Ekipet e emergjencave që punuan gjatë natës në qytetin e Antakias arritën të shpëtojnë një vajzë të re nga rrënojat e një ndërtese dhe dy orë më vonë shpëtuan të atin e saj, raportoi agjencia e lajmeve IHA.

Në Dijarbakir, në lindje të Antakias, shpëtimtarët nxorën një grua të plagosur nga një ndërtesë e shembur në orët e hershme të mëngjesit, por pranë saj gjetën trupat e tre personave të vdekur, raportoi agjencia e lajmeve DHA.

Përveç 12 mijë e 873 njerëzve të vdekur në Turqi, agjencia e menaxhimit të fatkeqësive tha se më shumë se 60 mijë veta janë plagosur. Në Siri janë raportuar 3 mijë e 162 të vdekur.

Dhjetëra mijëra besohet se kanë humbur shtëpitë e tyre. Në Antakia, ish-banorët e një ndërtese të shembur u grumbulluan rreth një zjarri nën qiellin e hapur gjatë natës së të enjtes, duke u mbështjellë fort me batanije.

Serap Arslan tha se shumë njerëz mbetën nën rrënojat e ndërtesës aty pranë, duke përfshirë nënën dhe vëllanë e saj. Ajo tha se makineritë filluan të lëvizin një pjesë të betonit të rëndë vetëm të mërkurën.

“Ne u përpoqëm të pastronim vetë mbeturinat, por fatkeqësisht përpjekjet tona qenë të pamjaftueshme”, tha 45-vjeçarja.

Selen Ekimen fshiu lotët nga fytyra e saj ndërsa shpjegoi se prindërit dhe vëllai i saj ishin ende të varrosur.

“Nuk kemi dëgjuar asnjë zë prej tyre për ditë të tëra”, tha ajo. “Asgjë”.

Ekspertët thanë se mundësitë e mbijetesës për ata që janë bllokuar nën rrënoja, po shuhen me shpejtësi. Në të njëjtën kohë, ata thanë se është shumë herët për të braktisur shpresën.

“72 orët e para konsiderohen si kritike”, tha Steven Godby, një ekspert i rreziqeve natyrore në Universitetin Nottingham Trent në Angli. “Mundësitë e mbijetesës mesatarisht brenda 24 orëve janë 74 për qind, pas 72 orësh 22 për qind dhe ne ditën e pestë, 6 për qind”.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan vizitoi të mërkurën provincën e goditur rëndë të Hatayit, ku banorët kritikuan përpjekjet e qeverisë, duke thënë se shpëtimtarët arritën vonë.

Sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive, më shumë se 110 mije veta po marrin pjesë në përpjekjet e shpëtimit me më shumë se 5 mijë e 500 automjete, duke përfshirë traktorë, vinça, buldozerë dhe ekskavatorë. Detyra është monumentale, me mijëra ndërtesa të rrënuara nga tërmeti.

Presidenti Erdogan, i cili është rikandiduar për zgjedhjet presidenciale të muajit maj, pranoi të mërkurën se përgjigjja fillestare e qeverisë së tij kishte qenë problematike, por tha se moti i lig ishte një faktor. Tërmeti shkatërroi gjithashtu pistën në aeroportin e Hatayt, duke penguar më tej reagimin.

“Nuk është e mundur të jesh i përgatitur për një fatkeqësi të tillë”, tha presidenti Erdogan. “Ne nuk do të lëmë asnjë nga qytetarët tanë pa kujdes”. Ai iu përgjigj gjithashtu kritikëve, duke thënë se “njerëz të pandershëm” po përhapnin “gënjeshtra dhe shpifje” për veprimet e qeverisë.

Ekipe nga shumë vende i janë bashkuar personelit lokal të urgjencës në përpjekjet e shpëtimit. Por shkalla e shkatërrimit nga tërmeti dhe pasgoditjet e tij të fuqishme është aq e madhe dhe e përhapur në një zonë të gjerë sa që shumë njerëz ende presin ndihmë.

Në Siri, përpjekjet për ndihmë janë penguar nga lufta e vazhdueshme dhe izolimi i rajonit të kontrolluar nga kryengritësit përgjatë kufirit, i cili është i rrethuar nga forcat qeveritare të mbështetura nga Rusia. Siria është nën sanksionet perëndimore të lidhura me luftën./VOA

(Kosova Sot Online)