Dy shqiptarët që organizuan protestën në Londër: U tallën me qeverinë

  • A.P /
  • 12 February 2023 - 11:40
Dy shqiptarët që organizuan protestën në Londër: U tallën me qeverinë

Mediat britanike raportojnë se dy vëllezër shqiptarë, të cilët organizuan një protestë në të cilën statuja e Winston Churchill u mbulua me flamurin shqiptar, gënjyen për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.

Raportohet se vëllezërit që më parë ishin dënuar për trafik njerëzish, gënjyen për të përfituar azil për të hyrë në Britani. Home Office zbuloi se ata përdorën identitete të rreme dhe pretentuan se po iknin nga lufta e vitit 1998 në Kosovë, dhe jo se vinin nga Shqipëria paqësore.

Taulant dhe Enkeleid Omi, në nëntor të vitit të kaluar, drejtuan një demonstratë në ëestminster, në të cilën 1500 bashkatdhetarë të tyre deklaruan se nuk ishin kriminelë, pasi sekretarja e Brendshme Suella Braverman tha se Britania u përball me një ‘pushtim’ të emigrantëve të paligjshëm, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një letër dërguar Taulantit muajin e kaluar, ekipi i Home Office kundër mashtrimit tha se ishte marrë në konsideratë heqja e shtetësisë së tij, por e refuzoi atë pasi “nuk është në linjë me politikën tonë”.

Aty thuhej: ‘Sekretari i Shtetit po konsideronte t’ju hiqte shtetësinë britanike me arsyetimin se ajo ishte marrë si rezultat i mashtrimit’.

Letra vazhdoi duke i ofruar Taulantit një amnisti për të korrigjuar të dhënat e tij duke përdorur emrin e tij të vërtetë.

“Por si kundërpërgjigje, ai u tall me qeverinë, duke u mburrur në rrjetet sociale se ka marrë ‘bileta falas’ për në Mbretërinë e Bashkuar dhe Ministria e Brendshme ‘më ka bërë një nder’.

Nacionalisti shqiptar, 46 vjeç, u shfaq gjithashtu në kanalin televiziv Euronews duke u mburrur se ishte i pastër dhe madje ofroi ndihmë për shqiptarët e tjerë që gjithashtu hynë ilegalisht në Britani”, shkruanDaily Mail.

“Home Office në atë letër po më thotë po, keni bërë një aplikim me të dhëna të rreme. Kushdo që e ka bërë këtë më bëri një nder të madh, duke më kursyer shuma të mëdha parash për të korrigjuar të dhënat. Në fund të fundit jam shumë i lumtur për të gjithë këtë. Asnjë sanksion për mua”, mësohet se ka deklaruar ai.

Kuptohet se Ministria e Brendshme ishte e pafuqishme dhe e paaftë për t’u hequr nënshtetësinë vëllezërve për një çështje teknike. Kërkesa e parë e Taulantit për azil u refuzua, por ai fitoi një apel në vitin 2006 dhe më vonë mori nënshtetësinë britanike.

Në maj 2013, vëllezërit dhe një bashkëpunëtor tjetër u kapën nga oficerët e Forcave Kufitare në përpjekje për të kontrabanduar dikë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht.

Ata u shpallën fajtorë në Gjykatën e Kurorës së Canterbury në shtator 2015 dhe u dënuan të dy me 12 muaj burg dhe u urdhëruan të kryenin 200 orë shërbim në komunitet.

Ndërkohë një zëdhënës i Home Office tha: “Prioriteti ynë më i madh është mbrojtja dhe siguria e MB. Të gjitha rastet vlerësohen individualisht dhe heqja e shtetësisë përdoret në mënyrë proporcionale”.

(Kosova Sot Online)