Blinken uron Kosovën: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, në qendër të njohjes eventuale reciproke, mbetet thelbësor
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar Kosovën me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë, përcjell “Kosova Sot Online”.
Blinken i ka uruar qytetarëve të Kosovës një vit të begat dhe të qetë.
Blinken ka theksuar se gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve Kosova ka bërë një përparim të jashtëzakonshme.
Blinken ka shkruar se këtë vit Kosova dhe SHBA kanë riafirmuar partneritetin e fortë dhe përkushtimin e përbashkët për demokraci, sovranitet dhe integritet territorial të Kosovës derisa janë shfaqur sfida të reja në mjedisin e sigurisë evropiane.
“Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse”, ka shkruar Blinken në letrën e tij.
“Kosova është një nga vendet më të reja në botë; qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për progresin që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e vlerave demokratike dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për të gjithë kosovarët. Ne jemi thellësisht mirënjohës për pritjen bujare të Kosovës të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë të Kosovës ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim në vendin tuaj”, ka shtuar Sekretari.
“Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësinë mes popullit tonë. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për prioritetet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, në qendër të njohjes eventuale reciproke, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik. Përsëri urime të gjithë popullit të Kosovës – mikut, partnerit dhe aleatit tonë – në këtë ditë të rëndësishme. Ju uroj një vit të qetë dhe të begatë në vazhdim.” , përfundon letra e Blinken për pavarësi.
(Kosova Sot Online)