Walker: Ndihem si baba në këtë vend, e kam parë Kosovën tek lind, jam krenar

  • E.k /
  • 18 February 2023 - 16:02
Walker: Ndihem si baba në këtë vend, e kam parë Kosovën tek lind, jam krenar

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftë në Kosovë, William Walker, ka uruar të gjithë qytetarët për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, përcjell “Kosova Sot Online”.

Walker ka thënë se ndihet si baba i Kosovës, sepse siç shprehet ai e ka parë teksa lind si vend.

Po ashtu, Walker është shprehur dhe se është krenar për të gjitha arritjet që ka bërë Kosova.

Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ambasadori Walker tha se e përshkruan si ditë emocionuese, të bukur e të lumtur për qytetarët.

“Kosova ishte një vend që po ballafaqohej me ato copëzat më thelbësore të jetës që ishin aq dramatike aq edhe domethënëse mendoj pikë së pari për jetën time, por edhe për jetën e kësaj pjese të botës. Isha në parlament atë ditë, isha aty në ballkon po i shihja deputetët që ngriheshin për të nënshkruar deklaratën e Pavarësisë. Pastaj dola edhe nëpër rrugë pata kënaqësinë, pata lumturinë të shihja njerëzit që po festonin. Mund të jetë egoja ime që flet, por ndjehem si baba në këtë vend sepse e kam parë tek lind, por jam krenar për të gjitha ato që Kosova ka arritur dhe po arrin”- tha Walker.

(Kosova Sot Online)