![Berisha - Kurtit: Dy rrugë i ke, bone shumicën dhe krijo qeverinë, ose dil në opozitë](/uploads/kosova-sot/images/2023/April/07/200x200_beke-berisha1680872298.jpg)
Shehu: Rama zgjoi Protokollin e Korfuzit, lë në harresë Traktatin e Miqësisë me Greqinë
![Shehu: Rama zgjoi Protokollin e Korfuzit, lë në harresë Traktatin e Miqësisë me Greqinë](/uploads/kosova-sot/images/2023/February/22/auto_auto_auto_auto_shehutritan-15838766161584980060-e1598181073856167111815016770597451677061353.jpg)
Ish-kreu i diplomacisë shqiptare Tritan Sheu, tashmë deputet i Partisë Demokratike rikthen në vëmendje çështjen e marrëdhënieve, Greqinë.
Përmes rrjeteve sociale, Shehu thotë se Qeveria “Rama” po lë në harresë Traktatin e Miqësisë me Greqinë, që siç thotë ai, është i pari dokument bilateral, ku pala greke ka pranuar qartë kufijtë ekzistues midis dy vendeve, sipas Aktit Final të Helsinkit dhe Kartës së Parisit, duke hequr dorë kështu nga Protokolli i Korfuzit e rivendikimet territoriale të tij.
“Qëllimshëm, Qeveria shqiptare lë në harresë Traktatin e Miqësisë me Greqinë.
Ndërsa ky traktat, i firmosur më 1966-ën dhe i hyrë në fuqi më 1998-ën, skadon brenda këtij viti, ministria jonë e Jashtme vazhdon “gjumin” dhe nuk jep asnjë alternativë për më tej!
Në fakt edhe Qeveritë e mëparshme socialiste e kanë lënë në “harresë” për “xhelozi” a diçka tjetër këtë Traktat shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona e stabilitetin e Rajonit.
Një Traktat bazë ai, shumë i gjerë në mundësitë që krijon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme midis dy vendeve dhe krijimin e hapësirave të reja në këtë drejtim.
Në fakt është i pari dokument bilateral, ku pala greke ka pranuar qartë kufijtë ekzistues midis dy vendeve, sipas Aktit Final të Helsinkit dhe Kartës së Parisit, duke hequr dorë kështu nga Protokolli i Korfuzit e rivendikimet territoriale të tij.
Çuditërisht më tej ai protokoll i Korfuzit, i nulifikuar që nga Protokolli i Firences, u nxorr nga “harresa” si fantazëm prej Qeverisë “Rama” pak vite më parë, për qëllime të mbrapshta, së paku për demagogji.
Traktati i Miqësisë, ky dokument madhor, që duhet përdorur edhe si themel politik i zgjidhjes së çështjes së Marrëveshjes së hapësirave detare, kërkohet të shfuqizohet në harresë.
Ndërkaq në fshehtësi po “punohet” për çuarjen në Gjykatën Ndërkombëtare të zgjidhjes së çështjes detare, e krijuar artificialisht mbas rrëzimit prej Gjykatës Kushtetuese të asaj Marrëveshje të parë, racionale e të ekuilibruar ajo.
Ndërsa nuk po bëhet asnjë përpjekje për “rigjallërimin” e atij Traktati Miqësie, vlerave të tij, shumë të dobishme ato për sot e nesër…. Kjo Qeveri zgjoi Protokollin e Korfuzit…
Të shohim çfarë tjetër “risie” nga errësira do të na sjellë kjo nesër”, shprehet në qëndrimin e tij deputeti dmeokrat Tritan Shehu.
(Kosova sot Online)