Identifikohen shqiptarët e shpallur në kërkim
Autoritetet greke kanë mundur të identifikojnë disa nga anëtarët e grupit kriminal që u përfshinë në sherrin e rëndë një natë më parë në Athinë, ku mbeti aksidentalisht i vrarë 40-vjeçari Pëllumb Islami.
Mediat greke shkruajnë se personi që hapi zjarr është kreu i një grupi me 10 anëtarë, të cilët dyshohet se janë arratisur në Shqipëri, për t’i shpëtuar policisë helene.
Autoritetet greke janë në vënë në kërkim të personave që janë pjesë e dy bandave, të dyja shqiptare dhe rivale me njëra-tjetrën, ndërsa njihen si persona me rrezikshmëri tepër të lartë. Ata dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e drogës, të qenieve njerëzore, si dhe gjobëvënie, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”
Një natë më parë, ata janë futur në një lokal në Athinë, dhe pas një sherri të ashpër, njëri prej tyre ka qëlluar 9 herë me armë, dhe një prej plumbave ka kapur aksidentalisht 40-vjeçarin, duke i marrë jetën në vend.
Viktima nuk kishte asnjë lidhje me personat në fjalë, ndërsa raportohet se ishte duke parë ndeshjen me shokët e tij. Ai punonte si hidraulik në shtetin helen, ndërsa ka qenë vëllai i tij i cili e ka identifikuar atë në morg.
(Kosova Sot Online)