Vllasi: Plani europian, si marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është më e mira

  • E.k /
  • 01 March 2023 - 08:05
Vllasi: Plani europian, si marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është më e mira

Avokati, Azem Vllasi, ka thënë se plani evropian është marrëveshja më e mirë ndonjëherë mes Kosovës dhe Serbisë prej se ka filluar dialogu, përcjell “Kosova Sot Online”.

Vllasi tha se në esencë marrëveshja konsiderohet ndërshtetërore.

Vllasi shtoi se njohja reciproke është akt bilateral mes dy shteteve

“Prej që ka filluar dialogu, kjo dje që titullohet si marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është më e mira. Si për kah forma, ashtu edhe për faktin se u dakorduan në esencë që ta pranojnë si bazë për biseda të mëtejshme të dy palët, konsiderohet si marrëveshje ndërshtetërore. Nuk është marrëveshje mes Serbisë dhe siç thonë ‘Kosovës e Metohisë’, ‘Krahina Jugore’, ‘shtet i rrejshëm’ e të tjera siç thonë në Serbi, por mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Vllasi.

“Në Serbi flitet për dialogun kinse është dialog për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sikurse harrojnë se çështja e Kosovës është zgjidhur dhe jemi shtet dhe tashti vetë Vuçiqi ka pranuar me këtë marrëveshje se bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve që e ka bart Këshilli i Sigurimit te Brukseli pasi e ka marrë për bazë planin e Ahtisaarit se Kosova mund të shpallet shtet”, theksoi ai.

Marrëveshja, sipas avokatit Vllasi, është më shumë një hartë e hapave të mëtutjeshëm ku duhet të arrihen marrëveshje për disa çështje konkrete.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse juridikisht obligative, gjithsesi në fund duhet të nënkuptojë njohjen reciproke mes dy shteteve. Kur do të ndodhë kjo, saktësisht nuk e di, por kësaj gjithsesi në vazhdim të bisedave duhet t’i shtohet edhe kërkesa që Serbia gjithsesi ta heqë nga Kushtetuta e vet Kosovën që e ka të inkorporume në Kushtetutë. Njohja reciproke është akt bilateral mes dy shteteve që nga e drejta ndërkombëtare nuk mbrohet, por nuk ka kuptim njohja reciproke e as marrëveshja mes dy shteteve nëse Kosova do të vazhdojë të figurojë në Kushtetutën e Serbisë ashtu siç është e qysh e ka fut regjimi i Millosheviqit në atë kohë kur është shkelur dhunshëm pozita legale kushtetuese e Kosovës sipas Kushtetutës së 1974”, theksoi Azem Vllasi.

(Kosova Sot Online)