Nga kjo datë pritet shtrenjtim i rrymës në Kosovë
Nga 1 prilli i këtij viti, do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike. Këto tarifa do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit për Energji i ka thënë se bazuar në vlerësimet preliminare, këto tarifa do të jenë më të shtrenjta se aktualet për 14 përqind.
“Tarifat e reja hyjnë në fuqi me 01 prill 2023 dhe zgjasin deri me 31 mars 2024. Vlerësimet preliminarë te prezantuara në Raportet Konsultativë tregojnë një rritje rreth 14%”, ka deklaruar Pepaj.
Deri tash, Pepaj thotë se asnjë palë s’ka dërguar komente për këtë çështje, edhe pse kanë mbetur vetëm edhe dy ditë kohë.
“Koha për pranimin e komenteve është deri me 3 mars 2023, deri me tani nuk kemi pranuar komente nga asnjë palë e interesit”, thuhet në përgjigjen e Pepajt.
Nga KEDS e kanë konfirmuar para një jave se kanë dorëzuar kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë.
Margarita Rashiti, zëdhënëse e KEDS-s i ka thënë se janë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore për aplikim te shqyrtimit tarifor.
“Janë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore për aplikim te shqyrtimit tarifor. Ne e kemi bërë kërkesën në ZRrE, por per detaje drejtojuni kësaj të fundit“, kishte thënë Rashiti.
(Kosova Sot Online)