Afera Rama-McGonigal/ Xhafaj: Transparenca i shërben mazhorancës

  • E.k /
  • 03 March 2023 - 10:13
Afera Rama-McGonigal/ Xhafaj: Transparenca i shërben mazhorancës

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, në fjalën e tij mbajtur dje në Kuvend një fjalim ndryshe nga linja zyrtare e partisë lidhur me mocionin me debat për çështjen “McGonigal”. Ai tha se opozita ka të drejtë për të kërkuar transparencë për këtë çështje, teksa tha se dalja e të vërtetës i shërben edhe vetë mazhorancës.

Xhafaj u shpreh se me këtë rast shumica mund të reflektojë edhe për çështje si konflikti interesit dhe lobimi i partive politike.

“Opozita dhe jo vetëm me të drejtë ka kërkuar transparencë për një çështje të tillë. Unë pavarësisht se çfarë mendoj për të dhe sidomos për një pjesë të lidershipit të saj, gjykoj se ata janë në të drejtën e tyre me këtë kërkesë. Ne si mazhorancë kemi përgjegjësinë të përballemi publikisht me këtë temë pasi e vërteta është në interes të publikut, por edhe në interesin tonë politik. Natyrisht edhe të reflektojmë se si të përmirësojmë disa gjera në etikën dhe komunikimin zyrtar, konfliktin e interesit, financimin dhe lobimin nga partitë politike”, u shpreh deputeti socialist.

Më tej, Xhafaj përmend Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çështjen McGonigal. Sipas tij, është marrë i pandehur një nga njerëzit më të rëndësishëm të FBI-së amerikane.

“Në SHBA dhe jo vetëm, çështja McGonigal është një temë me interes të gjerë publik. Debati atje është jo aq për akuzën dhe personin përkatës se sa e lidhur me institucionin në vetvete. Është marrë i pandehur një ish drejtues i nivelit të lartë të FBI, organizata simbol që për dekada ka qenë dhe mbetet modeli i vlerave të përkushtimit dhe besnikërisë në zbatimin e ligjit çka e ka bërë atë të jetë krenaria e atij vendi. Ne jemi vendi i dytë pas SHBA ku kjo ka ngacmuar gjerësisht politikën dhe ka marrë deri diku interes publik të spikatur. Kjo edhe sepse në dokumente te ndryshëm të bërë publike, personat e përmendur kryesisht janë shqiptarë dhe midis tyre edhe emri i Kryeministrit.

Përkundër asaj çfarë shkruhet në aktakuzën për McGonigal dhe vet debatit në SHBA këtu tek ne debati është krejt tjetër, shumë larg të vërtetës zyrtare, i fokusuar te personat dhe si përherë një tallava politike, konspiracion i nivelit të lartë, fantazi e shfrenuar dhe vetëm baltë, baltë e vetëm baltë. Në këtë rrëmujë politiko-mediatike të trajtimit të kësaj çështje, të mbajtur gjallë me çdo formë nga opozita, pa qenë ajo realisht e interesuar për të vërtetën, është e vështirë për këdo tjetër që të sjellë në vëmendje të publikut fakte dhe vetëm fakte dhe jo spekulime politike në lidhje me këtë çështje”.

Për sa i përket rolit të opozitës, Xhafaj thekson se ajo me të drejtë kërkon transparencë dhe llogaridhënie. Mazhoranca, sipas tij ka përgjegjësinë të përballet publikisht me këtë temë pasi e vërteta është në interesin e tyre politik.

“Opozita dhe jo vetëm, me të drejtë ka kërkuar transparencë për një çështje të tillë. Unë pavarësisht se çfarë mendoj për të dhe sidomos për një pjesë të lidershipit të saj gjykoj se ata janë në të drejtën e tyre me këtë kërkesë. Ne si mazhorancë kemi përgjegjësinë të përballemi publikisht me këtë temë pasi e vërteta është në interes të publikut, por gjykoj edhe në interesin tonë politik".

(Kosova Sot Online)