Dy fytyrat e Ramës: Biznesmenit i çon policët pse paguan qira në godinë pa leje - Ceno Klosin e lë të paguajë 25 mijë euro/muaji për zyra pa tapi

  • E.k /
  • 11 March 2023 - 15:37
Dy fytyrat e Ramës: Biznesmenit i çon policët pse paguan qira në godinë pa leje - Ceno Klosin e lë të paguajë 25 mijë euro/muaji për zyra pa tapi

Skandali i marrjes me qira për zyra të një godinë pa leje nga tatimet me firmë të Ceno Klosit, përveçse në shkelje të ligjit ka nxjerrë në pah standardet e dyfishta të qeverisë në raport me ndërtimet pa leje.

Në tetor të vitit që shkoi një turmë policësh do të rrethonte biznesin e deputetit demokrat Agron Shehaj me pretekstin se po zhvillonte aktivitetin në një ndërtesë pa leje. Shehaj tha se sulmi ishte bërë për qëllime politike për shkak të denoncimeve të tij për aferat e ministrave.

“Ky është një sulm i pastër politik. Një hakmarrje e verbër e Edi Ramës ndaj denoncimeve për aferat e rënda korruptive që unë kam bërë nga kjo foltore dhe njëkohësisht një presion për të më mbyllur gojën”, tha Shehaj atë kohë.

Në debat u përfshi edhe vetë kryeministri Rama, i cili në një deklaratë në “twitter” shkruante ndër të tjera se “ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit”. Rama shprehte dhe habinë se si deputeti Shehaj ushtronte aktivitetin në një ndërtesë pa leje.

“Deputeti Agron Shehaj paska marrë zjarr nga sulmi policor i orkestruar politikisht mbi biznesin i tij, që ia paska mbyllur policia e regjimit për t’i mbyllur gojën zotit Agron! Pyes dhe ç’të dëgjoj?! Zoti deputet që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje!”, deklaronte Rama.

Më 20 tetor të 2022 kur kryeministri Rama bëri këtë deklaratë, drejtori i përgjithshëm i tatimeve Ceno Klosi, kishte të paktën 3 muaj që kishte zhvendosur në një ndërtesë pa leje brenda në kryeqytet zyrat e drejtorisë mjaft të rëndësishme të hetimit tatimor, që është një institucion ligjzbatues me atributet e policisë gjyqësore.

Nuk është e qartë nëse IKMT dhe policia shtetit mund të ndërhyjnë me forcë në një rast të tillë, por skenat do të ishin surreale, ku policët e shtetit do të nxirrnin me forcë nga zyrat kolegët e tyre të hetimit tatimor pasi po ushtrojnë aktivitetin në një ndërtesë pa leje. Por përtej kësaj, çështja duhet të merret seriozisht nga SPAK për të nisur hetimet për një shkelje flagrante te ligjit nga drejtori i përgjithshëm i tatimeve Ceno Klosi./Sipas BW

(Kosova Sot Online)