Dy persona tentojnë të vrasin një çoban, si u shpëtoi plumbave duke u fshehur

  • E.k /
  • 14 March 2023 - 12:13
Dy persona tentojnë të vrasin një çoban, si u shpëtoi plumbave duke u fshehur

Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Selenicë të Vlorë, pasi dy persona qëlluan me armë zjarri ndaj një 36-vjeçari, përcjell “Kosova Sot Online”.

Një 33 vjeçar është arrestuar, ndërsa është shpallur në kërkim një person tjetër.

Këta dy persona, pasi u konfliktuan me 36 vjeçarin, e kanë qëluar këtë të fundit me armë zjarri, por fatmirësisht ky i fundit ka arritur të fshihet dhe t’u shpëtojë të shtënave.

Mësohet se këta dy persona i kanë kërkuar 36 vjeçarit, i cili punonte si çoban, një shumë parash, të cilat ky i fundit nuk ua ka dhënë. Për pasojë konflikti është përshkallëzuar deri në pikën ku është qëlluar me armë ndaj tij.

NJOFTIMI ZYRTAR

Shërbimet e Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Ramicë, 2 shtetas kishin qëlluar me armë zjarri, në drejtim të një 36-vjeçari, kanë organizuar punën me qëllim parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Si rezultat i kërkimeve intensive dhe ndjekjes së shtetasve që qëlluan me armë zjarri, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej tyre, konkretisht i shtetasit:

-E. B., 33 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëautori i dyshuar, shtetasi J. Rr., 30 vjeç, banues në Vlorë, për kapjen e të cilit vijon intensivisht puna.

Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur dhe dhunuar shtetasin G. L., 36 vjeç, i cili punonte çoban, në fshatin Ramicë, për t’i marrë atij një shumë parash. Të dy këta shtetas, pasi nuk kanë marrë paratë e kërkuara nga 36-vjeçari, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të tij. Shtetasi G. L. ka mundur të fshihet dhe t’u shpëtojë të shtënave.

Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.