Parisi 'mbulohet' nga bërlloku

  • A.P /
  • 14 March 2023 - 23:00
Parisi 'mbulohet' nga bërlloku

Koshat janë mbushur në zona të mëdha të Parisit një javë pas nisjes së grevës të grumbulluesve të mbeturinave, me mijëra tonë mbeturina të braktisura në rrugët e kryeqytetit francez.

“Është pis, tërheq minjtë dhe buburrecat”, u ankua një parisien në radion franceze.

Punëtorët janë në grevë pas propozimeve të qeverisë Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Qytete të tjera duke përfshirë Nantes, Rennes dhe Le Havre janë gjithashtu të prekura.

Grumbulluesit e mbeturinave iu bashkuan grevave të pensioneve një javë më parë dhe autoritetet e Parisit thonë se gjysma e rretheve të qytetit, të cilat mbulohen nga punonjësit e këshillit, janë goditur nga ky veprim. Tre zona të trajtimit të mbetjeve janë bllokuar dhe një e katërta është mbyllur pjesërisht.

Të hënën, autoriteti i Parisit tha se 5,600 ton mbeturina nuk ishin mbledhur ende.

Në 10 rrethet e mbuluara nga kompanitë private, shërbimi funksiononte pothuajse normalisht, tha këshilli i Parisit.

Punëtorët e mbeturinave do të takohen të mërkurën për të vendosur nëse do të vazhdojnë aksionin e tyre. Mbledhësit e mbeturinave aktualisht dalin në pension në moshën 57-vjeçare për shkak të kushteve të vështira të punës dhe sipas reformave do të duhej të punonin edhe dy vite të tjera.


(Kosova Sot Online)