Afera me kinezët e Ramës dhe Duçkës/ Kongresi amerikan: Një tjetër anëtar i familjes Biden i implikuar

  • E.k /
  • 15 March 2023 - 13:20
Afera me kinezët e Ramës dhe Duçkës/ Kongresi amerikan: Një tjetër anëtar i familjes Biden i implikuar

Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, James Comer, zbuloi sot se një anëtar i ri i familjes Biden ka dalë në hetimet e tyre në lidhje me bizneset që ka kryer jashtë vendit djali i presidentit, Hunter Biden.

Kongresmeni republikan, që drejton komisionin e fuqishëm, i cili po kryen hetime për këtë skandal, nuk e zbuloi identitetin e anëtarit të familjes Biden.

Por ai tha se ky zbulim ngre më shumë shqetësime për sigurinë kombëtare.

“Ka tre anëtarë të ndryshëm të familjes Biden që kanë marrë një pjesë nga ato 3 milionë dollarë, duke përfshirë një anëtar të ri të familjes Biden, që nuk është përfshirë kurrë më parë në këto hetime,” tha Comer për Fox News.

“Pyetja që kemi ne është: çfarë është bërë saktësisht prej tyre për të marrë këto pagesa? Cili ishte qëllimi i pagesës prej 3 milionë dollarë?”

“Këto janë të dhënat e para financiare që kemi arritur të marrim nga të dhënat bankare. Por ka edhe shumë, shumë të tjera,” paralajmëroi Comer.

Rrjeti amerikan, ABC News raporton se kompania që ka bërë pagesën prej 3 milionë dollarësh është një firmë kineze energjetike.

Bëhet fjalë për kompaninë CEFC, një konglomerat kinez i falimentuar. I punësuar në këtë kompani ka qenë këshilltari i Edi Ramës, Dorian Duçka.

Kjo kompani sponsorizoi edhe një ekspozitë të Edi Ramës në Hong Kong. Ndërkohë Duçka rezulton i lidhur jo vetëm me kompaninë kineze, por del edhe në emailet e kompjuterit të braktisur të Hunter Biden.

Republikanët në Kongres janë zotuar se do i shkojnë deri në fund hetimit për këtë skandal.

Ndërkohë, NY Post shkruan se Comer ka kërkuar informacione nga bankat për 14 vite aktivitete financiare nga familja Biden.

(Kosova Sot Online)