Ish-kryeinspektori i shkarkuar e konsideron lojë zhdukjen e mostrave në rastin Dehari
Raportimet e mediave për gjetjen e një pjesë të mostrave të Astrit Deharit, s’janë konfirmuar e as mohuar ende. Këto mostra që po ruheshin në Laboratorin e Toksikologjisë që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë raportuar si të zhdukura nga dhjetori i vitit të kaluar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ish-kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, ka thënë se familja Dehari s’duhet të ngacmohet me gjëra të tilla, si zhdukja apo gjetja e mostrave apo deklarime të tjera lidhur me këtë rast.
“Sa më përket mua, me krejt përgjegjësinë publike, morale, penale dhe rrethanat që i di unë, me vetë faktin e kamerave që dëshmojnë se nuk është hapur dera aty, unë e them me përgjegjësi që mundësia për ta vrarë Astrit Deharit nga jashtë, janë zero. Këtë familja e Astrit Deharit duhet me e kuptu se asaj edhe i vyen një qetësi, jo me ngacmu kohë pas kohe, por i vyen një qetësi që ta kuptojë që koha gradualisht duhet me ia shëru plagët. Jo me ngacmu, jo vjedhje të mostrave, jo u gjetën mostrat, jo ky u deklaru kështu”, ka thënë Topalli
Topalli është shkarkuar nga pozita e Kryeinspektorit të Ministrisë së Drejtësisë, para dy ditësh.
Sipas njoftimit të MD-së, Topalli është shkarkuar nën dyshimin për shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
“Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit”- thuhet në njoftimin e MD-së.
(Kosova Sot Online)