Lexoni edhe:
BE-ja e ndezë dritën e kuqe, ndalesë për të kaluar në BE Shqipëria e sunduar për dy mandate nga Rama, inkubator evropian i prodhimit të krimit të organizuar
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është partia e vetme opozitare, e cila po e mbështet kryeministrin Kurti që ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton "Kosova Sot Online".
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se marrëveshja i hapë rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Por Tahiri ka kritika për mënyrën sesi është dialoguar në Bruksel. “Ne si subjekt politik, kemi bërë një vështrim kritik të gjendjes ku është Kosova sot, por njëkohësisht edhe të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe për Aleancën është tepër me rëndësi që Kosova të ketë një qasje serioze, që Qeveria të reflektojë mbi zhvillimet dhe mbi mbështetjen e madhe që ky dokument ka ardhur nga faktori ndërkombëtar, në krye me ShBA-në, dhe se kjo njohje apo më mirë të them kjo marrëveshje, Kosovës i jep një njohje ndërkombëtare, i hap rrugë sigurt drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë; pastaj rrugë drejt po ashtu anëtarësimit në NATO, fillimisht përmes Partneritetit për Paqe”.
“I ka disa çështje që janë sfiduese po të cilat besoj me angazhimin e Kosovës mund të bien në binarë”, u shpreh Tahiri. Kritika Tahiri ka për mënyrën sesi është menaxhuar dialogu nga kryeministri Albin Kurti. Thotë se shefi i ekzekutivit ka pasur qasje eksperimentale.
Si veprime që i quan eksperimentale, Tahiri përmend çështjen e targave dhe ato për zgjedhjet në veri të vendit. Thotë se shpesherë emisarët ndërkombëtarë kanë ardhur në Kosovë për ta menaxhuar krizën.
“Menaxhimi i dialogut nga Qeveria ka qenë shumë i dobët, ju e dini do të thotë ka pasur një qasje eksperimentale, nuk është marrë fillimisht seriozisht, pra nuk ka qenë politikë proaktive e Qeverisë, angazhimi i fuqishëm në këtë temë, bile bile në planin qeverisës dhe në planin e Vetëvendosjes ka qenë pika e gjashtë apo e shtatë dhe pastaj e konsumoi krejt kohën e kryeministrit. Ka pasur eksperimentime në raport me tabelat, vendos, heq… nuk ka pasur pozicion proaktiv. Vetëm njëherë Kurti e ka pasur, më duket herën e parë kur ka shkuar ka prezantuar dy dokumente, prej asaj kohë më nuk ka pasur, jemi dukur për sa muaj, kemi qenë në vallen e krizës. E tha edhe zoti Lajçak se ai ka ardhur këtu kryesisht për menaxhimin e krizave, të njëjtën situatë e tha edhe zoti Borrell”, thotë Tahiri. Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës ka folur edhe për krizën në veri të vendit, për çka fajtor e bën shefin e ekzekutivit. Ai thotë se kryeministri është dashur ta pranojë propozimin për shtyrje të vendimit të targave.
“Kur kanë vendosur barrikada në rrugë ne i kemi larguar me polici, pra kryeministri Haradinaj në atë kohë përmes Policisë së Kosovës i ka larguar barrikadat, dhe ne e kemi informuar faktorin ndërkombëtar, ajo çka ka ndodhur në Kosovë, faktori ndërkombëtar i ka kërkuar kohë Kurtit 10 muaj, ky nuk e ka dhënë këtë periudhë kohore dhe pastaj diskutimet e brendshme janë transferuar në një vendimmarrje në Bruksel, kjo është e saktë mirëpo ajo që duhet me e pa të ndamë, ju e dini pra plani i Serbisë dhe i Vuçiqit ka qenë shumë i saktë momentin kur nuk ka pranuar t’i japë një afat kohor, ka filluar do të thotë, me tërheqjen e deputetëve, pastaj me dorëheqjen e kryetarëve, dorëheqjen e dy asambleve komunale, të gjithave por në disa erdhën asamblistët që ishin në rend në pritje, pastaj u tërhiqen Policia, u tërhiqen gjyqtarët, prokurorët, e pastaj u vendosën barrikadat”, u shpreh ai.
(Kosova Sot Online )