Hovenier: Ne kemi një kërkesë standarde që kryeministri të punojë me ne për zbatimin e Asociacionit
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është takuar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku tha se ka mirëpritur marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka kërkuar nga kryeministri që të punojë me ShBA-në për zbatimin e Asociacionit, transmeton “Kosova Sot Online”.
“Ne i mirëpresim të dyja marrëveshjet e arritura. Ne kemi një kërkesë standarde që kryeministri të punojë me ne për zbatimin e Asociacionit”, ka thënë Hovenier para gazetarëve.
Hovenier tha se pritjet e ShBA-së mbesin të njëjta, pra zbatimi i të gjitha marrëveshjeve, përfshirë Asociacionin.
“Pritjet e ShBA-së mbesin ato që janë: Të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen përfshirë edhe Asociacionin”, ka shtuar ai.
(Kosova Sot Online)