HRW del me një raport për krerët e UÇK-së dhe Gjykatën Speciale
Gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, vë në pah nevojën e vazhdueshme për drejtësi, 24 vjet pas luftës në Kosovë, ka thënë organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW).
Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nis më 3 prill, në Gjykatën Speciale.
Kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë në paraburgim në Hagë, prej nëntorit të vitit 2020.
Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit
Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
“Ky gjyq është ndaj katër njerëzve të akuzuar për kryerje të krimeve të tmerrshme, gjatë dhe pas luftës, kur konflikti ka mbaruar, përfshirë kundër njerëzve nga grupe të ndryshme etnike”, ka thënë Hugh Williamson, drejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në organizatën Human Rights Watch.
Ky gjyq “u ofron mundësi viktimave që, pas aq shumë vjetësh, të mësojnë çfarë ka ndodhur, dhe vë në pah pandëshkueshmërinë që vazhdon të ekzistojë për konfliktin në Kosovë, por edhe për luftërat tjera në ish-Jugosllavi”.
Në Kosovë, disa njohës të fushës së drejtësisë besojnë se gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve është i njëanshëm, meqë Gjykata Speciale nuk përfshin krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës apo në ndonjë territor tjetër.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Në reagimin e HRW-së është përmendur edhe rëndësia e mbrojtjes së dëshmitarëve, duke marrë parasysh “frikësimin e dëshmitarëve në rastet tjera kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së”.
“Gjykata, po ashtu, duket të ketë kontakt të vazhdueshëm në Kosovë dhe Serbi, për ta mbajtur publikun të informuar për rastin dhe për parimin e përgjegjësisë penale individuale”.
Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi edhe ndaj ish-pjesëtarit tjetër të UÇK-së, Pjetër Shala.
Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.
Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.