Berisha: Veliaj pastron paratë e Gardës Revolucionare të Iranit
Kryetari demokrat, Sali Berisha, hodhi akuza të forta ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në lidhje me skandalin e inceneratorit të Tiranës dhe lidhjeve të tij me Iranin.
Berisha tha se ka dyshime se Veliaj pastron paratë e Gardës Revolucionare të Iranit.
“Të dhëna të qarta lidhin djegësin e Tiranës, Erion Veliajn me Bruno Presecin dhe Ali Aliabadin, ish-komandantin e Pasdaran, tani sipërmarrës i madh në Iran, nën sanksione ekonomike të BE dhe SHBA.
Unë e kam denoncuar këtë lidhje me Iranin të Erion Veliajt, siç jeni ju dëshmitarë.
Erion Veliaj nuk ka guxuar kurrë të përgënjeshtrojë qoftë edhe njëherë të vetme, denoncimin e kësaj lidhje të rrezikshme për Shqipërinë.
Lidhja e Erion Veliajt me Teheranin nuk është e re. Daton 15-20 vjet më para.
Udhëtimet e tij të shpeshta janë denoncuar nga shërbime të vendeve partnere. Unë i kam denoncuar ato publikisht.
Tani rezulton se pronar kryesor në dokumente i kompanisë së inceneratorit të Tiranës është Bruno Preseci, i cili në fakt ka për ortak një kompani që thuhet se është po e tij.
Pra, në dokumente ai figuron ortak me 43 përqind, por duke pasur parasysh se kompania tjetër italiane, thuhet se është po e tij, ai shkon në 80 përqind aksioner i kompanisë së Erion Veliajt.
Italiani që u hetua këtu, Gabriele, u arrestua, u dënua dy vite duke i thënë se dënohesh pa faj.
Ajo që është kulmore është se Gabrielit i bënë një espulso, 5 vite nuk ka të drejtë të futet në Shqipëri. Se Gabrieli është dëshmitari i të gjithë aktivitetit të mafies së tmerrshme Rama-Veliaj-Preseci.
Gabriele di çdo gjë, siç din shoferi i tij, Miliad Lopa. Miliadi në fakt është konfident i Brunos. Miliadi është një qytetar shqiptar që udhëton disa herë në muaj në Teheran.
Miliadi është fluent në farsi dhe është inxhinier elektronik. Por, ka bërë shoferin e Gabrieles.
Mafia funksionon si organizatë me rregulla shumë të veçanta. Miliadi me Ersin kishin një shtëpi bari gjigante dhe janë të gjithë dokumentet për këtë, për shtëpinë e barit.
Të gjitha këto u mbyllën duke përzënë Gabrielen nga Shqipëria. Por Gabrieli di shumë.
Inceneratori i çmontuar në Konstancë dhe i sjellë në Shqipëri, njëlloj si i Elbasanit, që tani është hekurishte dhe nuk punon më, hapën tender për 4 milionë sërish.
Tani del që këtë tjetrin e fshehin për shkak të Gabrieles. Nuk tregojnë se ku është.
Pra, Erion Veliaj merr në kundërshtim flagrant me kontratën, me 29 euro një ton pleh, taton qytetarët e Tiranës, në një kohë kur kjo tarifë është për djegien e tyre. Paratë i ndan me Bruno Presecin dhe iranianët.
Ekzistojnë dyshime shumë të forta se Erion Veliaj, Miliad Lopa dhe Bruno Preseci riciklojnë paratë e Pasdaran dhe kompanisë së Gardës Revolucionare të Iranit. Pasi Ali Aliabadi është një ish-komandant i Gardës Revolucionare dhe tani sipërmarrës i madh në Iran, që e ka të gjithë partneritetin me qeverinë.
Hetimi ndërkombëtar i kësaj afere është një domosdoshmëri jo vetëm pse kemi të bëjmë me falangat mafioze të Shqipërisë, por edhe të dy kontinenteve.
Erion Veliaj duhet të bëjë publike lidhjet e tij, të denoncuara nga unë, me Iranin, lidhe shumë obskure që konkretizohen qartë në lidhjen me inceneratorin e Tiranës.
Kam shumë të dhëna, por natyrisht duhet të jetë objekt i një hetimi serioz.
Mafia e djegësve, mafia e plehrave gjithmonë dihet se është kryesore si mafie.
Këtu në Tiranë implikon direkt kryeministrin, kryetarin e bashkisë, sekretarin e përgjithshëm dhe një rrjet të tërë zyrtarësh,” tha Berisha.
(Kosova Sot Online)