Reagon Zyra e Kryeministrit: Falë punës sonë u arrit zhbllokimi i procesit

  • E.k /
  • 18 April 2023 - 12:37
Reagon Zyra e Kryeministrit: Falë punës sonë u arrit zhbllokimi i procesit

Zyra e kryeministrit ka reaguar pasi Parlamenti Evropian ka miratuar liberalizimin e vizave për Kosovën, ku për këtë kjo zyre thotë se “Falë punës sonë u arrit zhbllokimi i procesit”, përcjell “Kosova Sot Online”

Për këtë zyra e kryeministrit ka dhënë detaje për procedurën pas miratimit nga Parlamenti Evropian.

”Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi”, thuhet në reagimin e zyrës së kryeministrit.

Zyra e kryeministrit po ashtu thotë se ”vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit. Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024”.

”Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”.

”Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”, përmbyllet njoftimi.

(Kosova Sot Online)