Sot mbushen 24 vjet nga vrasja e profesor Fehmi Aganit

  • 06 May 2023 - 09:07
Sot mbushen 24 vjet nga vrasja e profesor Fehmi Aganit

Sot, mbushen plotë  24 vjet nga vrasja e veprimtarit dhe  nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së,  deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit nga dora gjakatare serbe .Profesor Agani është vrarë me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

Figura e Aganit ka lënë gjurmë të pashlyeshme  si në historinë e pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe në fushën e arsimit dhe mendimit shkencor.  Agani ka qenë njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më 6 maj 1999, Agani,  ai së bashku me familjen e tij ju bashkua qytetarëve  duke  tentuar të linte Kosovën me tren, por  në kufirin me Maqedoninë, treni është kthyer mbrapsht, dhe  diku afër Fushë-Kosovës, policia ka ndaluar trenin dhe ka urdhëruar të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp, kanë bërë të ditur se Agani është marrë ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij është gjetur të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit, vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi. 

(Kosova Sot Online )