Pse statuja e Millosheviqit do të vendoset në Moskë?

  • A.P /
  • 16 May 2023 - 13:45
Pse statuja e Millosheviqit do të vendoset në Moskë?

Një statujë e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë dhe të paditurit të Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në Jugosllavi (ICTY), Slobodan Millosheviç, do të ngrihet në qendër të Moskës, përkatësisht në “Sheshin e Evropës”, në mes të muaj qershor të këtij viti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kështu ka thënë Marat Bashirova, profesor në Shkollën e Lartë Ekonomike të Institutit Kombëtar të Kërkimeve të Universitetit të Moskës, në një intervistë me tabloidin rus “Moskovskiy Komsomolets”, transmeton “Jutarnji List“, një ndër gazetat më të famshme në Kroaci.

E derdhur në bronz në Serbi, statuja është dy metra e lartë – portalet serbe flasin për një monument të lartë tre metra – dhe është vepër e skulptorit nga Beogradi Dragan Radenoviç, kurse iniciatori i krejt kësaj është Aleksandar Zaldostanov, drejtuesi i klubit të motoçikletave “Ujqërit e Natës”.

Statuja përshkruan Millosheviç-in duke mbajtur një maskë e cila, nga njëra anë, i ngjan një personazhi nga piktura e famshme “The Scream” të piktorit norvegjez Edvard Munch, por në realitet është edhe më shumë si maska e filmit horror “The Scream”, shkruan gazeta kroate.

Bashirov, në një intervistë për “Moskovskiy Komsomolets”, theksoi se arsyeja e ngritjes së monumentit në Moskë është se “Milosheviç është viktima e parë e NATO-s kriminale”, duke iu referuar ndërhyrjes humaniatre në Kosovë në vitin 1999.
Millosheviçi, sipas profesorit rus, ishte ekstraduar në Hagë nga “tradhtarët serbë” dhe ai “pagoi me jetën e tij për të mbrojtur atdheun e tij” – “ai u tradhtua nga shumë njerëz në atë kohë dhe u rrëmbye nga qeveria e Zoran Gjinxhiç-it dhe u dërgua në Hagë”.

“Ata nuk mund ta thyenin atë dhe ai heroikisht qëndroi në pozicionin e tij, duke akuzuar NATO-n e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit. Rusët bënë një gabim të madh në atë kohë që nuk e mbrojtën fuqishëm Serbinë”, tha Bashirov.

Ndërkaq, kreu i “Ujqërve të Natës”, ndryshe i njohur si “Kirurgu”, pohoi se përgatitjet dhe puna për ngritjen e monumentit janë në fazën e fundit dhe se ai po ngrihet në shenjë mirënjohjeje për Millosheviç-in, “i cili në mënyrë profetike parashikoi se çfarë do të ndodhte me ne”.

(Kosova Sot Online)