Dita e parë e punës nga kryetarët e veriut – shqiptarët i mirëpresin, serbët nuk i njohin

  • 20 May 2023 - 08:33
Dita e parë e punës nga kryetarët e veriut – shqiptarët i mirëpresin, serbët nuk i njohin

Qytetarë shqiptarë e serbë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, patën pritje krejt të ndryshme nga kryetarët e sapozgjedhur atje. Pas bojkotimit të zgjedhjeve nga serbët lokalë, liderë të komunave janë zgjedhur politikanë nga partitë shqiptare, të cilët nuk dihet se si do ta ushtrojnë detyrën, shkruan REL, transmeton "Kosova Sot Online".

Të banuara kryesisht nga serbët, katër komuna në veri të Kosovës kanë zgjedhur kryetarë joserbë.

Zgjedhjet lokale të 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveqan e Zubin Potok u bojkotuan nga serbët.

Deri më 28 maj, kryetarët e zgjedhur duhet të marrin detyrën përmes betimit.

Qytetatarët serbë të asaj zone thonë se nuk i pranojnë këta udhëheqës. Ndërsa, komuniteti shqiptar në atë pjesë e sheh si pozitiv këtë ndryshim.

“Presim që do të ketë pak më shumë ndryshime këtej, sidomos që është një shqiptar që është zgjedhur, pak do t’i koordinojë punët ëm mirë, sepse do të punojë më shumë për shtetin e Kosovës dhe këtë pjesën këtej(veri)”, thotë Nehat Jusufi.

“Unë nuk di asgjë për këtë (betim) dhe as nuk kam ndonjë qëndrim. Nëse kandidoi, sigurisht që do të bëjë betimin. Çfarë duhet të bëjmë këtu tani”, shprehet Gordana.

“Kurrë ma mirë (nuk jemi ndier), kurrë ma mirë. Hera e parë edhe para luftës dhe pas luftës që zgjidhet një shqiptar kryetar i komunës (së Leposaviqit) është Luli, Lulzim Hasnani”, thotë Sami Rrahmani.

“Këtu në Leposaviq? Nuk mendoj se do të ketë kryetar të ri këtu, e për më tutje nuk e di ende. Ne do ta kundërshtojmë e pastaj do të shohim”, deklaron Rade, banor i kësaj komune.

“T’ju tregoj të drejtën, nuk kemi qenë të lumtur që ka ndodhur kjo në këtë mënyrë për arsye se shumë më mirë do të ishte që fqinjët tanë (serbët) të dalin në zgjedhje – meqenëse janë shumicë – dhe të fitojnë ata dhe ta udhëheqin komunën tonë”, shprehet Gjylazim Peci nga Boletini i Zveçanit.

“Nuk pres asgjë, nuk besoj se do të realizohet. Nuk e besoj. Njerëzit këtu janë të bashkuar, nuk besoj se do të ketë( marrje të detyrave të kryetarit. Sipas mendimit tim, nuk di asgjë për momentin, do të shohim se si do të funksionojë”, thotë një serb nga Zveçani.

Bajram Selimi nga Zubin Potoku thotë se “më mirë është (që është zgjedhur një kryetar shqiptar). Izmiri (Zeqiri) është i mirë”.

“Çfarë mund të mendojmë, e di që nuk është mirë për ne, vetëm kaq mund të them, asgjë tjetër”, shprehet një tjetër qytetare e Zubin Potokut.

Serbët e veriut të Kosovës kanë braktisur institucionet e Kosovës që nga nëntori i vitit 2022.

Objektet e komunave në veri, në shumicë shfrytëzohen nga strukturat paralele serbe atje.

Së fundmi, në disa prej këtyre objekteve janë vendosur dyer me shufura hekuri.

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë thirrje që kryetarët të mos hyjnë me forcë në këto objekte.

Në zgjedhjet lokale ne veri votuan vetëm 3.4 përqind e të gjithë votuesve.

(Kosova Sot Online )