Gjykata themelore e Prishtinës tregon kur pritet të nis gjykimi ndaj Agron Mustafës për kontratën e dëmshme në vlerë prej 6.7 milionë euro në barrë të Telekomit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”. Prokuroria pretendon se Mustafa në cilësinë e kryeshefit të Telekomit, “me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 €”, për kontratën me kompaninë “Paykos”, transmeton "Kosova Sot Online ".
Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar pranimin e aktakuzës.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për çështje penale me datë 04.05.202 ka pranuar Aktakuzën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit A.M. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Lidhja e kontratës së dëmshme nga neni 291 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me neni 81 paragrafi 1.2. dhe 1.5.të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për medie.
Por gjykata nuk e ka dhënë datën se kur do të nis gjykimi. Në përgjigjen e gjykatës thuhet se lënda do të trajtohet në bazë të radhës së pranimit dhe regjistrimit në gjykatë.
“Lidhur me këtë rast, nga gjyqtari i çështjes jemi informuar se ende nuk ka ndërmarr ndonjë veprim meqënse kjo lëndë konsiderohet lëndë e re e pranuar në gjykatë. Kjo lëndë është pranuar në fillim të muajit maj 2023 dhe gjyqtari i çështjes në procedurë ka lëndë më të vjetra të kësaj natyre se sa lënda në fjalë, andaj ju informojmë se e njëjta do të trajtohet në bazë të radhës së pranimit dhe regjistrimit në gjykatë”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Gjithnjë sipas prokurorisë, Mustafa “më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro)”.
Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale me të cilën ngarkohet. Aktakuzën kundër tij nuk e ka komentuar deri më tash Agron Mustafa.
(Kosova Sot Online )