Grubi: Zgjidhja e vetme është njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë

  • E.k /
  • 31 May 2023 - 08:25
Grubi: Zgjidhja e vetme është njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka reaguar rreth situatën në veri të Kosovës, përcjell “Kosova Sot Online”.

Grubi ka bërë thirrje që të rikthehen te dialogu për normalizim të marrëdhënieve.

Grubi tutje ka thënë se zgjidhja e vetme është njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Situata në Veri të Kosovës ka ngjallur këto ditë shqetësim të madh ndër ne dhe te mbarë faktori ndërkombëtar.

Dënoj ashpër protestat e dhunshme dhe sulmin ndaj forcave të KFOR-it duke apeluar për rikthim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në frymën e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit.

Ftoj autoritetet e Kosovës të vazhdojnë koordinimin me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatët tanë të përhershëm, duke pasur gjithmonë në mendje se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe zgjidhja e vetme është njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)