Mediat serbe e godasin ashpër kreun e shtetit: Aleksandar Vuçiq po e humb kontrollin mbi serbët e Kosovës
Aleksandar Vuçiq, i cili prej vitesh po qeverisë me veriun e Kosovës përmes Listës Serbe (LS), po humb kontrollin mbi serbët e Kosovës. Fjalimi i kryetarit të LS-së, Goran Rakiq, i cili e dëgjon Vuçiqin pa diskutim, u përcjellë me fishkëllima nga serbët në protestë në Zveçan derisa ai po prezantonte kërkesat për Policinë e Kosovës, ndërsa në Zubin Potok ish-kryetari i këtij qyteti, Sërgjan Vulloviq, u godit me shuplakë, transmeton "Kosova Sot Online ".
“Zvarritja” e serbëve nga veriu i Kosovës në tubim në Beograd të thirrur nga Vuçiqi, në ditën kur kryetarët e sapozgjedhur shqiptarë hyjnë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, mund të jetë një goditje për Aleksandar Vuçiqin dhe eksponentët e tij në veri të Kosovës. Përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila është pjesë e organeve kosovare që nga viti 2015, në vend që të jenë me qytetarët në veri të Kosovës, ishin në tubimin e Aleksandar Vuçiqit, shkruan gazeta serbe Nova.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që i pari në mesin e tyre, Goran Rakiq, dje u fishkëllua nga turma në protestën në Zveçan, teksa po lexonte me altoparlant kushtet për Policinë e Kosovës, disa qytetarë brohorisnin “uaaa”, transmeton "Kosova Sot Online".
“Ju lutem më dëgjoni”, u tha Rakiq, por leximi i kërkesës nga ana e tij nuk u dëgjua nga qytetarët e pakënaqur.
Krahas kësaj, një nga qytetarët iu është afruar krerëve të Listës Serbe dhe u ka kujtuar se si i kanë çuar njerëzit të premten në Beograd.
“80 për qind të njerëzve janë “zvarritë” nga veriu për të marrë pjesë në demonstratën e Vuçiqit, derisa e dinit se do të hyjnë shqiptarët”, kishte thënë një qytetar i revoltuar në Zveçan.
Në protestat e së hënës në veri të Kosovës, nuk pati vetëm konflikte mes serbëve dhe KFOR-it, por edhe mes vetë serbëve. Përkatësisht, në Zubin Potok, ish-kryetari i këtij qyteti, Sërgjan Vulloviq, ka “hangër” një shuplakë.
Siç shihet edhe në videon e postuar në Facebook, njëri nga qytetarët nga pala serbe ishte duke biseduar me pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Vulloviqi iu afrua nga pas dhe u përpoq ta tërhiqte zvarrë, pas së cilës burri u kthye, filloi ta shante dhe e goditi me shuplakë.
E gjithë kjo në fakt mund të jetë kulmi i menaxhimit të pasuksesshëm të Vuçiqit të politikës kosovare, në të cilin ai u ndoq verbërisht nga përfaqësuesit e Listës Serbe.
Paraprakisht, presidenti i Serbisë ka kërkuar nga serbët që të largohen nga të gjitha institucionet në Kosovë, kështu që të mos ketë më pjesëtarë serbë në uniformat e Policisë së Kosovës, të cilët mund të kujdeseshin për sigurinë e tyre.
Serbët e atjeshëm u urdhëruan nga Beogradi që edhe t’i bojkotojnë zgjedhjet, kështu që me votat e vetëm 3.5 për qind të qytetarëve nga veriu, shqiptarët u zgjodhën kryetarë të komunave.
(Kosova Sot Online )