Policia e Kosovës jep detajet e fundit rreth situatës në veri
Policia e Kosovës, përmes një komunkatë fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato, përcjell “Kosova Sot Online”.
Në anën tjetër, Policia ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare, edhe sot po kujdesen për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare, edhe sot po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe po kryen detyrat e saja të përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe institucionet relevante, po vazhdon me angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve, sigurimin e lirisë së lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, ku edhe sot po vazhdojnë protestat.
Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim dhe fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.
(Kosova Sot Online)