Peach: Veprimet e qeverisë e kanë dëmtuar reputacionin e Kosovës
Emisari britanik, Stuart Peach ka dalë me një deklaratë publike pas vizitës në Kosovë, duke thënë se veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës kanë shkaktuar pasoja dhe ia kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar dhe reputacionin te aleatët, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai ka thënë se Britania e Madhe ka qëndruar pranë Kosovës dhe do të vazhdojë të qëndrojë edhe tani, por ka shprehur qëndrimin e tij se kjo qasje e qeverisë, do ta vështirësojë situatën.
“Kjo është vizita ime e katërt në Kosovë dhe po ndodh në një kohë të vështirë. Kam takuar Kryeministrin Kurti si dhe Zëvendëskryeministrin Gërvalla Ministrin e Mbrotjes Mehaj, KFOR-in dhe Ambasadorin Hovenier. Në takimin me Qeverinë, kam përçuar një mesazh shumë të qartë: verpimi i Qeverisë së Kosovës për të imponuar vendosjen e kryetarëve në objektet komunale me forcë, ishte i pamatur dhe ka shkatuar pasoja të dëmshme. Është e nevojshme që të gjitha palët të angazhohen për de-eskalim”, ka shkruar Peach.
Ai ka thënë se nga bisedat me homologët në Uashington dhe Bruksel ka kuptuar se Kosova është dëmtuar si për nga imazhi, ashtu edhe te reputacioni që e kishte te vendet e aleate.
“Po vështroj me kujdes ngjarjet dhe po bisedoj me homologët në Uashington, Bruksel dhe përtej. Këto diskutime e kanë bërë të qartë për mua se këto ngjarje kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe reputacionin e saj te aleatët. Britania e Madhe ka qëndruar pranë Kosovës në kohëra të mira dhe të këqija si mike dhe mbështetëse dhe do të vazhdojë kështu, por veprimet e njëanshme vetëm sa do të përkqeësojnë situatën”, ka shkruar në fund Peach.
(Kosova Sot Online)