Kryetarët e posa zgjedhur në veri flasin për kërkesat e para që kanë marrë nga qytetarët

  • 10 June 2023 - 08:06
Kryetarët e posa zgjedhur në veri flasin për kërkesat e para që kanë marrë nga qytetarët

Derisa përmendet opsioni i zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kryetarët shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe atje thonë se janë duke kryer detyrat që ua kërkon mandati, transmeton "Kosova Sot Online".

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por me më pak se 4% mbështetje nga votuesit. Popullata shumicë serbe, pas thirrjeve të përfaqësuesve të saj politikë, i ka bojkotuar ato zgjedhje.

Hyrja e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale më 26 maj, përkundër rezistencës së banorëve lokalë, ka shkaktuar tensione në këtë zonë, që vazhdojnë edhe sot.

Situata ka qenë më e qetë vetëm në Mitrovicë të Veriut, ku objekti i komunës është i ndarë fizikisht sipas sistemit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Në tri komunat e tjera, ato objekte janë shfrytëzuar nga kryetarët e mëparshëm serbë.

Për shtensionimin e situatës, komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar tërheqjen e kryetarëve shqiptarë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale – për çka nuk ka marrë ende përgjigje në praktikë nga institucionet e Kosovës.

Zeqiri nga fshati Çabër: Jemi duke kompletuar kabinetin

I kontaktuar nga REL, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se si pasojë e situatës së krijuar, aktualisht, është duke ushtruar detyrën e tij nga Zyra për Komunitete në fshatin Çabër të kësaj komune.

Ai tregon se është në përfundim e sipër të kompletimit të kabinetit, i cili, siç thotë, do t’i ketë 14 drejtori – nga arsimi deri te shëndetësia.

“Do të nisim me prioritetet që kanë qytetarët e kësaj komune. Do të fillojmë me punë të vogla, por që janë të rëndësishme”, thotë Zeqiri.

Ai thotë se, deri më tani, nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga qytetarët për ndonjë shërbim komunal. Por, siç shprehet, janë disa kërkesa të mëparshme që kanë qenë në proces, e që janë duke u shqyrtuar – mes tyre, asfaltimi i disa rrugëve dhe ndriçimi në disa lagje të fshatrave.

Zeqiri thotë, po ashtu, se ka pasur takime me disa kryetarë të komunave të tjera, si Mitrovicë e Veriut, Vushtrri dhe Drenas, dhe se ata janë në proces të nënshkrimit të disa marrëveshjeve mirëkuptimi në fusha të ndryshme.

Peci nga fshati Lipë: Kemi kërkesa nga banorët

Për të njëjtat arsye, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, thotë se është duke punuar nga Zyra për Komunitete në fshatin Lipë të kësaj komune.

Edhe ai thotë se është në kompletim e sipër të kabinetit dhe se, në të njëjtë kohë, është duke pranuar kërkesa nga banorët shqiptarë të disa fshatrave.

“Kemi vizituar fshatin Zhazhë dhe aty kemi pasur kërkesa për ndërtimin e dy shtëpive për dy familje shqiptare. Kemi parë se ato kanë nevojë për këto shtëpi dhe po shohim se cilat janë procedurat që duhet ndjekur ne si komunë për ndërtimin e tyre”, thotë Peci.

Një tjetër kërkesë e bërë nga qytetarët, shton ai, është edhe pastrimi i rrugëve të disa fshatrave.

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nuk iu përgjigj interesimit për të biseduar për aktivitetet e tij.

Ngjashëm as kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Megjithatë, ai ka postuar në llogarinë e tij në Facebook disa nga aktivitetet e veta, që përfshijnë emërimin e “disa drejtorëve të drejtorive komunale”.

Në një tjetër postim të tijin thuhet se Komuna e Mitrovicës së Veriut ka funksionalizuar E-Kioskun – platformë që u mundëson qytetarëve të pajisen më lehtë dhe më shpejt me dokumente civile.

Sipas Atiqit, ky shërbim ka ekzistuar edhe në të kaluarën, por nuk ka qenë funksional.

Atiq ka thënë më herët se në fokus të punës së tij do të jenë: zhvillimi ekonomik lokal dhe ofrimi i shërbimeve efikase për qytetarët.

Çfarë thotë shoqëria civile?

Bekim Salihu, hulumtues i lartë në Institutin për Hulumtime të Avancuara GAP dhe njohës i pushtetit lokal, thotë se kryetarët e komunave në veri, në aspektin legjislativ, janë të plotfuqishëm, por, në aspektin praktik, kanë vështirësi për kryerjen e detyrave.

“Për rrjedhojë nuk mund të pritet që kryetarët e komunave ta kenë fuqinë e plotë në terren, sidomos sa u përket investimeve kapitale, pasi që atje ka banorë që i rezistojnë autoritetit të kryetarëve aktualë dhe kjo, padyshim, do të shkaktojë kufizime dhe mungesë të rezultateve në terren”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ushtrimi i detyrave jashtë ndërtesave komunale nuk parqet ndonjë problem.

Ligji për vetëqeverisje, sqaron Salihu, e specifikon që kryetarët duhet të jenë banorë të atyre komunave, por nuk e thotë askund se duhet të jenë patjetër në objektet përkatëse publike.

“Madje, rekomandimet e qeverisjes së mirë thonë që kryetarët e komunës duhet të jenë më shumë në terren sesa në zyra dhe, për rrjedhojë, mandati i tyre dhe funksioni i tyre nuk lidhen për objektin përkatës për të ushtruar detyrën”, thotë Salihu.

Kryeministri Kurti këmbëngul që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, duhet t’i ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale, duke argumentuar se ato janë prona të Republikës së Kosovës.

Katër komunat në veri kanë qenë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur udhëheqësit e deriatëhershëm serbë kanë dhënë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Përfaqësuesit politikë serbë i kanë kërkuar më pas popullatës shumicë atje t’i bojkotojë zgjedhjet e 23 prillit, me arsyetimin se pushteti qendror nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre për më shumë autonomi.

(Kosova Sot Online )