Lexoni edhe:
Presidentja Osmani uron pavarësinë e ShBA-së: Le të vazhdojë të forcohet partneriteti ynë i palëkundur
Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas takimit me kryeministrin e Holandës Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel, transmeton "Kosova Sot Online". .
Ai tha se ka kërkuar nga dy kryeministrat evropian që t’i ndihmojnë Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe në BE.
“Gjithashtu kërkova që të na ndihmojnë për sa i përket programit të NATO-s, Partneritetit për paqe dhe të ecim më tutje drejt marrjes së pyetësorit nga Komisioni Evropian sa i përket anëtarësimit në BE, ku ne tashmë e kemi bërë aplikimin tonë zyrtar”, deklaroi ai.
Më tutje, kryeministri përmendi edhe çështjen e dialogut me Serbinë. Ai tha se dëshirojnë zgjidhje evropiane dhe zbatim të marrëveshjeve.
“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në plotësi, pa vonesa dhe pa kushte”, deklaroi kryeministri.
Kurti tha se progresi demokratik i Kosovës është mundësi e mirë për BE-në që të transformojë Ballkanin Perëndimor.
“Demokracitë solidarizohen me njëra tjetrën përballë autokracive andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi jo vetëm për shtetin tonë por edhe BE-në për të shtyrë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Më tutje, Kurti i ka falënderuar dy kryeministrat evropian për vizitën në Kosovë.
“Në këto kohë të rëndësishme për demokracinë dhe sigurinë e paqenë në rajonin tonë dhe kontinentin tonë. Vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat janë gjithmonë e me të afërta. Jemi mirënjohës për mbështetjen e Holandës dhe Luksemburgut për lirinë dhe pavarësinë tonë, për progresin demokratik dhe ekonomik”, tha ai.
(Kosova Sot Online )