Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, pranohet si provë materiale intervista e Remit për BBC

  • 14 July 2023 - 14:17
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, pranohet si provë materiale intervista e Remit për BBC

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e së premtes, është pranuar si provë materiale video dhe transkripta e intervistës së Rrustem Mustafës- Remit,  për BBC për kohën e Rambujesë.

Fillimisht, mbrojtja e Thaçit, konkretisht avokati  Luka Mishetiq ka kërkuar të lëshohet një intervistë që dëshmitari Mustafa e kishte dhënë për BBC pas luftës, në lidhje me kohën e Rambujesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në videon e lëshuar, dëshmitari Mustafa dëgjohej të thoshte se ky kishte qenë për shkuarjen në Rambuje, por jo për të nënshkruar.

“Kam qenë për shkuarjen në Rambuje, jo për nënshkrim po, veç me shku edhe me i thanë kërkesat tona”, dëgjohej të thoshte Mustafa.

Tutje, dëshmitari Mustafa dëgjohej të thoshte se shumica e komandantëve nuk kishin mundur të shkonin për shkak se ka qenë luftë.

“Po kena folë përmes telefonit, por ju kemi thanë se normalisht duhet me shku në Rambuje, me uniformë, me i prezantu qëllimet tona por kurrqysh nuk duhet me u mashtru, nuk bën me u tradhtu edhe duhet me fitu atje”, dëgjohej ai.

Gjithashtu, Mustafa dëgjohej të thoshte se i kanë thirrë në telefon të gjithë anëtarët e grupit dhe se i kanë kërcënuar se nuk guxojnë të nënshkruajnë dhe se nëse e bëjnë, nuk guxojnë të kthehen në Kosovë.

“E kom marrë telefonin, e kemi telefonu edhe kom ba kërcnim, nuk guxoni me nënshkru. Mu kujtohet si sot, i kemi thanë ju e dini se kemi raketa kundër ajrit për raketa edhe do t’i ruajmë ato raketa, s’do t’i përdorim me serbë, po aeroplanin e juaj po zbritët në Sllatinë, do ta rrëzojmë”, thoshte Mustafa në atë intervistë.

Ndërkaq, tha se ata kanë vepruar ashtu duke u kthyer në Kosovë, ashtu që të konsultoheshin.

Pas dëgjimit të kësaj videoje, avokati Misheqit, e ka pyetur dëshmitarin Mustafa në lidhje me atë që Thaçi iu kishte dhënë garanci komandantëve të zonave.

Në lidhje me këtë, dëshmitari Mustafa tha se Thaçi ishte shef i delegacionit të Rambujesë dhe se ka bërë gjithçka për t’i bindur.

Sipas tij, Thaçi i kishte bindur një nga një dhe se i ka siguruar se ai po kontakton me njerëzit më të fuqishëm.

“Kam qenë skeptik derisa ka fillu bombardimi i NATO-së”, shtoi tutje Mustafa.

Po ashtu, avokati Mishetiq e ka pyetur edhe në lidhje me atë se nëse komandantët e zonave do e hiqnin pëlqimin që i kanë dhënë Thaçit.

Dëshmitari Mustafa tha se pa ata, marrëveshja nuk do kishte kuptim.

 

Mbrojtja e Thaçit fillon marrjen në pyetje të ish-komandant Remit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, po vazhdon dëshminë e tij duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit. Dëshmitari Mustafa është dëshmitari i 13-të me radhë në këtë çështje gjyqësore dhe seancën e së premtes ka filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës Luka Misetic, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, mbrojtja e të akuzuarve ka paraqitur kohën që planifikon për marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, ashtu që mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se nuk ka ndryshime në planifikim, mbrojtjes së Veselit i duhen rreth 2 orë, mbrojtjes së Selimit rreth 5 orë dhe mbrojtjes së Krasniqit rreth 4 orë.

Tutje, prokurorja speciale Clare Lawson deklaroi se mund të jetë e nevojshme që t’i bëjë edhe pyetje plotësuese dëshmitarit Mustafa dhe në këto rrethana pritet që dëshmia e tij të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

Ndryshe, në seancën e djeshme, ka përfunduar marrja në pyetje e dëshmitarit Mustafa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, konkretisht prokurores Clare Lawson dhe mbrojtësit të viktimave Simon Laws, pyetjet e të cilit janë bërë në sesion privat.

Mustafa ka filluar dëshminë e tij në seancën e së martës dhe ka vazhduar në seancat e së  mërkurës dhe të enjtes.

Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

(Kosova Sot Online )