Lajmi i fundit: Mblidhet kryesia e LDK-së

  • A.P /
  • 14 July 2023 - 17:00
Lajmi i fundit: Mblidhet kryesia e LDK-së

Për të diskutuar “hapat e ardhshëm”, që do t’i ndërmarrin, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbledhur kryesinë e partisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin e LDK-së thuhet se kjo mbledhje vjen pas zhvillimeve të fundit në vend, përfshirë dhunën e përdorur dje në Kuvendin e Kosovës.

“Si pasojë e zhvillimeve të fundit, pamjeve të shëmtuara të dhunës në Kuvendin e Kosovës kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mbledhur anëtarët e Kryesisë ku po diskutohet për hapat e LDK-së në ditët në vijim“, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Dje në Kuvend ka pasur përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe pjesëtarëve të Qeverisë Kurti.

Tensionet vazhduan edhe pas rikthimit të deputetëve dhe kabinetit qeveritar në sallë. Kryeparlamentari Glauk Konjufca vendosi që ta vazhdojë seancën, duke e tejkaluar diskutimin që çoi në shpërthimin e dhunës, e që kishte të bënte me bisedat e incizuara mes shefes së Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusarit dhe zyrtarit të lartë të Listës Serbe, Sllavko Simiq. PDK-ja nuk pranonte të tejkalohej ky disktuim dhe e bllokoi foltoren e Kuvenduit për disa orë.

Ndërkaq, deputetët e LDK-së nuk u përfshin në tensione. Deputeti Armend Zemaj i kërkoi Konjufcës ta ndërpriste seancën, duke ia lexuar rregulloren e Kuvendit, por kryeparlamentari e refuzoi kërkesën.


(Kosova Sot Online)