12-vjeçarit që ishte aksidentuar doktorët ia rilidhin kokën me shtyllën kurrizore
Doktorët në Jerusalem me sukses kanë arritur të përfundojnë operacionin e ngjitjes së kokës me shtyllën kurrizore të djaloshit palestinez që kishte pësuar aksident, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Doktori Ohad Einav, bashkë me ekipin e mjekëve në Jerusalem, kreu operacionin që po quhet mrekulli, duke rilidhur kokën e një djaloshi 12-vjeçar me emrin Suleiman, i cili ishte goditur nga një veturë teksa po ngiste biçikletën.
Kështu kanë bërë të ditur mediume ndërkombëtare, pasi spitali ka bërë publike rezultatet e operacionit.
Djaloshi palestinez 12-vjeçar pësoi atë që njihet si “prerje e brendshme” në të cilën kafka shkëputet nga shtylla kurrizore. Dëmtimi tronditës ndodhi kur ligamentet që lidhnin kafkën në shtyllën kurrizore u dëmtuan aq shumë, saqë nuk mund t’i mbanin më eshtrat në vend.
Kirurgëve iu është dashur të veprojnë shpejtë që t’i bënin bashkë eshtrat në mënyrë që të ruanin shtyllën kurrizore e të shpëtojnë jetën e Suleimanit.
Pas mbërritjes në dhomën e urgjencës, mjekët thanë së koka e tij ishte pothuajse plotësisht e shkëputur nga baza e qafës.
Doktori Einav ka thënë se ata arritën ta shpëtonin fëmijën falë njohurive dhe teknologjisë më novatore në sallën e operacionit.
Procedura e operacionit zgjati disa orë. Kjo rezultoi me sukses pasi që 12-vjeçari u lirua nga spitali me një paftë metalike që mbante të sigurt pjesën cervikale.
Ky operacion ndodhi në qershor, por mjekët pritën një muaj për të shpallur rezultatet pasi u siguruan që operacioni ishte i suksesshëm.
(Kosova Sot Online)